Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Futbollistet e Shqipërisë synojnë ta befasojnë Poloninë

Armir Grima është ankuar se periudha e verës është më e vështira për futbollistet, të cilat për shkak të pushimit të gjatë e kanë të vështirë ta gjejnë formën më të mirë fizike. Kështu ka thënë përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll në konkurrencën e femrave, që pavarësisht telasheve shpreson të bëjë befasi në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kampionatit Botëror të vitit të ardhshëm. Shqipëria të enjten në orën 18:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, e pret përfaqësuesen e Polonisë, që në këtë duel vlerësohet favorite. Më 6 shtator luan në udhëtim te një kundërshtare edhe më e fortë, Norvegjia. Përzgjedhësi Grima, të mërkurën, i ka vlerësuar dy përfaqësueset si të forta, por ai ka besimin se mund të shkaktojë befasi në rezultat.

“Janë të dyja rivale të forta dhe ne nuk mund të përcaktojmë se cila është më e mira, sepse në çdo moment që ne i kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarët, kemi arritur të luajmë mirë dhe të marrim rezultate të mira. Mendoj që na presin dy ndeshje të vështira, por që shpresojmë të përfaqësohemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Grima të mërkurën në konferencën për shtyp, një ditë para ndeshjes.

Te Shqipëria ka shumë futbolliste që luajnë me Vllazninë e Shkodrës. Ato veçse kanë hyrë në formën e mirë fizike. Madje kanë kaluar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ky fakt e gëzon shumë Grimën.

“Mendoj që na mungojnë të paktën edhe dy pikë, nga ndeshja e parë që kemi zhvilluar me Kosovën në Elbasan. Megjithatë, unë mendoj se kemi bërë një arritje të mirë dhe shpresoj që, ashtu siç kemi thënë edhe në fillim që Kombëtarja e femrave të jetë një lokomotivë për futbollin e femrave në Shqipëri. Besoj se po ecim mirë, po punojmë mirë, po jemi një shembull i mirë edhe për të gjitha vajzat e tjera të kampionatit shqiptar. Po punove, po arrite, do të jesh pjesë e ekipit kombëtar, por edhe pjesë e rezultateve të mira që merr ekipi kombëtar i femrave”, tha Grima.

Shqipëria në Grupin F mund të luftojë vetëm për vendin e tretë në grup. Por, gjithçka varet nga Polonia. Polonia është e treta në grup me 14 pikë, katër më shumë se Shqipëria. Grupit i prin skuadra e Norvegjisë që ka 22 pikë në total. 19 ka Belgjika e vendit të dytë, ndërsa Kosova radhitet në vendin e pestë, pas Shqipërisë, me 4 pikë.

Edhe Edhe te Shqipëria nuk i gëzohen ndeshjes me Kosovën, por synojnë fitoren Sport Edhe te Shqipëria nuk i gëzohen ndeshjes me Kosovën, por synojnë fitoren

Armenia është e fundit në Grupin F, pa pikë në tetë ndeshje të zhvilluara. Shqipëria asnjëherë më parë në një cikël kualifikues në futbollin e femrave nuk ka arritur të marrë numrin e pikëve që i ka grumbulluar në këtë cikël kualifikues të Botërorit.

Për këtë arritje i gjithë grupi aktual është krenar.
“Besoj se ka qenë ecuria më e mirë që ka pasur ekipi kombëtar deri më tani. Ne kemi arritur një rezultat historik duke siguruar 10 pikë në grup duke lënë pas Armeninë dhe Kosovën. Shpresoj të vazhdojmë kështu dhe të bëjmë paraqitje edhe më të mira sesa këto që kemi zhvilluar deri më tani”, ka thënë mbrojtësja Arbenita Curraj, duke shtuar se edhe ndonjë pikë tjetër synohet në dy duelet e radhës.