Sport

Edhe te Shqipëria nuk i gëzohen ndeshjes me Kosovën, por synojnë fitoren

Prishtinë, 13 shtator – Njëjtë si drejtuesit e përfaqësueses së Kosovës, edhe drejtuesit e përfaqësueses së Shqipërisë nuk i gëzohen përballjes mes futbollisteve të dy ekipeve përfaqësuese shqiptare.

Shqipëria e Kosova luajnë të enjten prej orës 19:00 në Elbasan, në hapje të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2023.

Për herë të dytë rresht, Shqipëria e Kosova janë në grupin e njëjtë eliminator për Kampionatin Botëror. Aktualisht janë në Grupin F të kualifikimeve evropiane, ku bëjnë pjesë edhe Norvegjia, Belgjika, Polonia e Armenia.

Shqipëria, që në përbërje i ka disa lojtare nga Kosova, ka nisur të shtunën përgatitjet për ndeshjen me Kosovën. Shqipëria ishte një vazo më lart se Kosova dhe shorti përcaktoi që të jenë në të njëjtin grup dhe të zhvillojnë dy ndeshje mes vete.

Selektori i Shqipërisë, Armir Grima ka folur për faqen zyrtare të FSHF-së lidhur me ndeshjen me Kosovën. Ai ka pranuar se me dëshirë do të shmangte ndeshjet e dy përfaqësueseve shqiptare.

“Realisht nuk do të kisha pasur dëshirë ta kishim Kosovën në grup. Do të ishte më mirë të ishte një grup tjetër. Megjithatë futbolli është i tillë dhe ajo që ne presim nga kjo ndeshje dhe ajo që ne kemi objektiv është natyrisht fitorja, me gjithë respektin maksimal dhe duke njohur maksimalisht ekipin e Kosovës”, ka theksuar Grima. Ai ka vlerësuar rritjen e përfaqësueses së Kosovës.

“Duke ditur që Kosova është një ekip me elemente pozitive dhe që ka pasur një rritje këto vitet e fundit. Por detyra dhe pikësynimi ynë kryesor është që të fitojmë ndeshjen. Pastaj me radhë ndeshjet e tjera”, ka shtuar Grima.

Menjëherë më 21 shtator, Kosova luan me favoriten e grupit, Norvegjinë. Ky takim zhvillohet në Prishtinë. Ndërsa Shqipëria është mysafire e Belgjikës. Ndeshja e dytë mes Kosovës e Shqipërisë luhet më 30 nëntor në “Fadil Vokrri”.

Ndonëse grupi vlerësohet shumë i vështirë, te Shqipëria janë optimist për kualifikim në Botëror. E para e grupit kualifikohet, ndërsa e dyta luan në barazh.

“Jam shumë optimist, duke pasur besimin e plotë te vajzat, te grupi. Kemi vajza që po rriten dita-ditës dhe normalisht kur rriten nga ana sportive, do të presim edhe rritjen e rezultateve në fushën e lojës. Shpresoj shumë që të jemi surprizë e bukur te ky grup”, ka theksuar Grima, që grupin e ka vlerësuar të fortë. Por ai ka shumë besim te futbollistet e Shqipërisë.

“Realisht ne Elbasanin e kemi fatsjellës në ndeshjet eliminatore. Tifozët nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë. Ne iu garantojmë që do të shohin një ekip të bukur, një futboll të bukur dhe besoj se ardhja e tifozëve në stadium do të jetë një motiv më shumë për ne për të arritur rezultatet pozitive”, ka thënë seleksionuesi Grima.

Viona Rexhepi (Mitrovica), Albina Rrahmani (Vllaznia Shkodër), Sara Maliti (Vllaznia), Endrina Elezaj (Mitrovica), Qëndresa Krasniqi (Vllaznia), Gresa Haziri (Mitrovica), Arbenita Curraj (Vllaznia), Gresa Berisha (Vllaznia) janë lojtaret nga Kosova të përfaqësueses së Shqipërisë.

Edhe te Kosova janë optimistë për ndeshjen me Shqipërinë. Te Kosova të hënën kanë nisur përgatitjet për ndeshjen në Elbasan.

“Nuk kemi pasur dëshirë të jemi në grup me Shqipërinë dhe nuk besoj se dikush në Kosovë ka dëshirë të jemi në grup kualifikues me Shqipërinë. Por kjo nuk varet nga ne. Jemi ekipe me cilësi të përafërta, ndonëse Shqipëria është një vazo më lart. Secila ndeshje me Shqipërinë i ka emocionet e veta. Kështu do të jetë edhe këtë herë. Por kur hyn në garë, dëshira e secilit është të fitojë. Kemi çdo gjë të përbashkët me Shqipërinë dhe i dëshirojmë shumë suksese. Por natyrisht fitoren e mendojmë për vete. Pres ndeshje korrekte”, ka thënë ditë më parë për KOHËN selektorja e Kosovës, Afërdita Fazlija.