Futbollistet e Kosovës, të premten, kanë mësuar kundërshtarët e ciklit të tretë kualifikues për to. Për herë të dytë përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të jetë në grup me Shqipërinë.
Shqipëria e Kosova janë në Grupin F të eliminatoreve evropiane për Kampionatin Botëror të vitit 2023. Në këtë grup të vështirë janë edhe Norvegjia, Belgjika, Polonia e Armenia. Ndeshjet kualifikuese nisin në shtator të këtij viti.
Kosova ka debutuar në skenën ndërkombëtare në kualifikimet për Botërorin e vitit të kaluar, atë të vitit 2019. Ishte në grupin e dytë të raundit preliminar. Ndeshjen e parë e luajti ndaj Shqipërisë, më 6 prill 2017 në Elbasan. Humbi 3:2 me autogol të minutës së 96-të. Më pas Kosova humbi 6:0 nga Greqia dhe 3:1 nga Malta. Kosova mbeti e fundit në grup e Shqipëria si fituese e grupit avancoi në raundin e dytë kualifikues.
Kualifikimet e dyta të Kosovës ishin ato për “Evropianin 2022”. Në një grup të vështirë, Kosova u rendit e katërta, duke bërë hap të madh para. La pas Turqinë e Estoninë, ndërsa mbeti prapa Holandës, Rusisë dhe Sllovenisë.
Edhe në kualifikimet e ardhshme janë dy përfaqësuese me të cilat Kosova thuajse nuk ka gjasa. Por, ndaj të tjerave do ta kërkojë suksesin. Suksesin do ta kërkojë edhe ndaj Shqipërisë, ndonëse selektorja Afërdita Fazlija nuk iu gëzohet përballjeve me të.
“Nuk kam pasur dëshirë që të jemi në grup me Shqipërinë. Kam shpresuar se do ta shmangim”, ka thënë Fazlija për KOHËN, të premten pas shortit.
“Por është short interesant. Ndarja nëpër vazo tregon se kush është favorit i grupit. Për ne është mirë që nuk kemi startuar prej vazos së fundit. Shpresoj dhe besoj se do të ketë gjëra interesante dhe të mira në ndeshjet e këtij cikli”, ka shtuar Fazlija.
Prej vazos së parë në grupin e Kosovës është Norvegjia. Norvegjia ka një titull të botës dhe një herë ishte nënkampione. Në Botërorin e fundit u ndal në çerekfinale. Ka edhe një medalje të artë olimpike, si dhe dy tituj evropianë. Në Evropianin e fundit, në vitin 2017, ishte ndalur në fazën grupore.
Belgjika nuk është kualifikuar ndonjëherë në Botëror, ndërsa në Evropian ka debutuar në vitin 2017 dhe është ndalur në fazën grupore.
Prej vazos së tretë në grupin e Kosovës është Polonia. Prej të katërtës në grupin F është Shqipëria e prej të pestës Kosova. Armenia ishte në vazon e fundit.
“Prej Polonisë e deri tek Armenia kanë cilësi të përafërt. Te përfaqësueset e futbollisteve, forma ndryshon shumë shpejt. Për shembull, në vitin 2017 e kam parë një Poloni shumë të fortë. Por, kam përcjell këtë përfaqësuese edhe në vitet 2019 e 2020 dhe nuk më ka bindur aq shumë. Pra, jemi përfaqësuese që nuk kemi lojtare profesionale në përbërje dhe cilësia mund të ndryshojë shpejt”, ka theksuar Fazlija.
“Nëse do të kemi mundësi të jemi komplet, nëse nuk kemi telashe me pandemi, besoj se do të kemi paraqitje të suksesshme dhe do të bëjmë hapin e synuar para. Do të jetë një grup interesant. Janë dy përfaqësuese shumë të forta, ndërsa me të tjerat mund të përballemi”.
Fituesit e grupit avancojnë në Botëror, ndërsa vendi i dytë dërgon në barazh. Botërori 2023 mbahet në Australi dhe Zelandë të Re.
Kualifikimet përfundojnë më 6 shtator të vitit të ardhshëm.
Te Shqipëria luajnë shumë futbolliste nga Kosova. Edhe më shumë ka pasur në të kaluarën, por me të nisur Kosova me ndeshje zyrtare, numri është zvogëluar. Në kualifikimet për Evropianin 2022, Shqipëria u rendit e parafundit në grup. La pas vetëm Qipron, ndërsa mbeti prapa Finlandës, Portugalisë dhe Skocisë.
“Bëhet fjalë për një moment historik të futbollit të femrave, pasi për herë të parë Shqipëria është ngjitur në vazon e katërt, sipas klasifikimit të fundit të UEFA-s, ku renditet në vendin e 33-të.. Ka lënë pas shtete, si Izraeli, Maqedonia e Veriut, Turqia, Mali i Zi etj.”, ka njoftuar FSHF-ja.
Te Kosova ka shumë lojtare që bëjnë karrierë në vend, kryesisht te Mitrovica, por edhe shumë lojtarë që luajnë në vende evropiane. Me pak përjashtime, lojtaret e Kosovës luajnë në nivele më të ulëta, apo në liga më pak të zhvilluara.