Sport

Futbollistet e Kosovës para një tjetër ndeshjeje të vështirë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll - femrat

Një përfaqësuese që synon kualifikimin në Botërorin e vitit të ardhshëm do të jetë kundërshtare e futbollisteve të Kosovës.

Bëhet fjalë për Belgjikën, me të cilën Kosova do të takohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja luhet nga ora 20:00 dhe i takon Grupit F të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2023.

Është një tjetër ndeshje e vështirë për futbollistet e Kosovës, pas humbjes së thellë nga Norvegjia, 5:1, të enjten.

Ndeshjen e ka vlerësuar të vështirë edhe përzgjedhësja e Kosovës, suedezja Anneli Andersen. Në konferencën për media të mbajtur të hënën ajo ka vlerësuar lart ekipin belg, i cili në ndeshjen e parë e kishte mposhtur Kosovën me shifrat 7:0.

Përzgjedhësja Andersen debutoi në krye të Kosovës ndaj Norvegjisë. Ajo shpreson në paraqitje sa më të mirë ndaj Belgjikës.

“Kemi pasur një periudhë intensive, duke u munduar të punojmë në lojën tonë. Mendoj se do të kemi një ndeshje shumë të vështirë ndaj Belgjikës. Jemi munduar të përgatitemi dhe mendoj se jemi përgatitur mirë. Kemi pasur dy stërvitje që të bëhemi sa më mirë gati, por e kemi parasysh se do të jetë shumë vështirë”, është shprehur Andersen.

Trajnerja suedeze tha se është e kënaqur me paraqitjen e Kosovës ndaj Norvegjisë.

“Ndaj Norvegjisë patëm një start të mirë së bashku, duke pasur parasysh se kishim vetëm dy stërvitje. 90 minuta në përgjithësi të mirë, por ka hapësirë për përmirësime. Kështu që shpresoj të jemi në gjendje ta marrim atë paraqitje me vete dhe të jemi në gjendje të bëjmë edhe më mirë në ndeshjen tjetër”.

Andersen shtoi se gjatë kohës sa është në krye të ekipit është munduar që të njihet me lojtaret sa më shumë dhe t’ua përcjellë konceptin e saj të punës. Deri më tani, Andersen është e kënaqur me atë që ka parë te Kosova.

“Siç e dini, unë vij nga Suedia dhe pres që të punohet shumë për ta përmirësuar ekipin. Jam përpjekur t’i përfshij më shumë lojtarët gjatë kësaj kohe dhe të kemi lojë ekipore. Nuk ka qenë e lehtë të përgatitemi gjatë kësaj periudhe, por pritet të kemi përmirësim në të ardhmen dhe do të punojmë shumë në këtë aspekt”, është shprehur Andersen.

“Unë kam ardhur këtu për t’i luajtur këto eliminatore që ta shoh ekipin. Kam përvojë për të punuar me lojtare të reja dhe natyrisht që duhet të përparojmë individualisht, por edhe si ekip. Kemi lojtare të talentuara dhe na nevojitet të punojmë për t’u ngritur sa më shumë. Duhet të kemi shumë durim, por edhe nevojitet kohë për të pasur sukses. Gjithashtu, për sukses duhet ta kemi edhe një bazë më të gjerë të lojtareve”.

Edhe futbollistet Donjeta Halilaj e Erëleta Memeti kanë vlerësuar lart Belgjikën. Ato kanë pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë kundër një ekipi të fortë dhe me përvojë të madhe.

“Atmosfera është e mirë në ekip, me trajneren dhe stafin e ri. Jemi komponuar shumë si ekip dhe ndaj Norvegjisë u munduam të bënim një paraqitje të mirë. Mendoj se luajtëm mirë. Ne e njohim Norvegjinë sikurse edhe Belgjikën, që kanë më shumë ndeshje dhe më shumë përvojë. Kështu që ndaj Belgjikës do të mundohemi të japim më të mirën nga vetja”, u shpreh Halilaj.

“Secila trajnere i ka taktikat e veta. Me trajneren e kaluar jemi munduar të luajmë lojë më shumë ofensive, por trajnerja e re po kërkon ta mbajmë sa më shumë topin dhe të shkojmë përpara për të parë se ku mund të arrijmë”.

Ndërkohë Mehmeti, që shënoi golin e vetëm për Kosovën ndaj Norvegjisë, tha se janë munduar që të përgatiten sa më mirë. Ajo shtoi se janë gati për t’u përballur me Belgjikën.

“Do të mundohemi të bëjmë një paraqitje të mirë. Kemi punuar me trajneren e re, e cila ka ardhur këtu me përvojën e saj. Kemi shikuar disa video të Belgjikës për të qenë sa më të përgatitura dhe shpresoj që të kalojmë sa më mirë në këtë ndeshje”, shtoi Memeti.

Para ndeshjes me Kosovën, Përfaqësuesja e Belgjikës ishte bindëse në udhëtim te Shqipëria, që e mposhti me rezultatin 5:0.

Shqipëria, që zë vendin e katërt në grup dhe ka shtatë pikë, të martën luan në udhëtim tek Armenia prej orës 13:30.

Pas ndeshjes me Belgjikën, Kosova i ka edhe dy duele deri në fund të këtij cikli eliminator. Do të përballet me Armeninë në shtëpi dhe me Poloninë në udhëtim, ndeshje këto që do të zhvillohen në fillim të muajit shtator.

Në grup udhëheq Norvegjia me 19 pikë. Belgjika i ka 16, ndërsa Kosova është e parafundit me vetëm katër pikë dhe tashmë e eliminuar.