Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Futbollistet e Kosovës nisin përgatitjet për ndeshjet ndaj Kroacisë

Kosova (F)

Futbollistet e Kosovës i kanë nisur përgatitjet për ndeshjet kualifikuese për “Euro 2025” ndaj Kroacisë.

“Dardanet” ndeshjen e parë ndaj kroateve e zhvillojnë të premten në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, kurse më 4 qershor e luajnë ndeshjen e dytë në Karlovc të Kroacisë.

Përzgjedhësja Anneli Andersen i konsideron të vështira ndeshjet me Kroacinë. Por ajo pret maksimumin nga lojtaret e Kosovës për të arritur rezultat pozitiv.

“Jam shumë e lumtur të rikthehem sërish në grumbullim dhe të provojmë të mësojmë dhe të luftojmë sa më shumë. Futbolli i femrave po zhvillohet çdo ditë dhe ne gjithmonë përballemi me ekipe të forta. Ne e kemi analizuar kundërshtaren. Kroacia bën të njëjtën gjë që ne bëjmë dhe do të mundohet për të arritur fitoren. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Ne çdo herë po punojmë që të përmirësohemi”, ka thënë Andersen për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kosova i ka humbur dy ndeshjet e para të Grupit 4 të Ligës B. Por futbollistet e Kosovës synojnë fitoren e parë.

“Gjithmonë është kënaqësi dhe mall të grumbullohemi me kombëtaren. Sot ka qenë stërvitja e parë dhe kemi qenë në formë të mirë fizike. Jemi shumë të motivuara dhe kemi shumë harmoni në skuadër. Në këto dy ndeshje do ta kontrollojmë veten, sepse kundërshtarin nuk mundemi. Kroacia është një skuadër shumë e mirë por me stërvitjet që do t’i zhvillojmë do të jemi shumë të gatshme për të zhvilluar lojën dhe për të dhënë më të mirën”, ka theksuar Lumbardha Misini.

Edhe Futbollistet e Kosovës synojnë tjetër fitore ndaj Kroacisë Futboll Futbollistet e Kosovës synojnë tjetër fitore ndaj Kroacisë

Misini dhe lojtaret e tjera të Kosovës pranojnë se Kroacia ka nivel më të lartë.

“Ne e dimë se Kroacia është kundërshtare e nivelit të lartë dhe ne me stërvitjet që do t’i zhvillojmë edhe në ditët në vazhdim do të përgatitemi dhe do të japim maksimumin për të shënuar fitore”, ka deklaruar Viola Avduli.

Kosova e humbi ndeshjen e parë 2:0 nga Ukraina në Antalia të Turqisë më 5 prill.  Më pas humbi shumë thellë nga Uellsi në Podujevë, 6:0. Ajo ndeshje u luajt më 9 prill.