Sport

Tommy Fury ia shkakton Jake Paulit humbjen e parë

Boksieri Tommy Fury e ka mposhtur rivalin e tij Jake Paul, mbrëmjen e së dielës.

Gjyqtarët ia dhanë fitoren vëllait të kampionit në boks në peshën e rëndë, Tyson Furyt. Dy nga gjyqtarët e vlerësuan luftën 76:73 për Furyn, ndërsa njëri 75:74 për Paulin. Dueli u zhvillua në tetë runde në Diriyah të Arabisë saudite. 

“Në dy vjetët e fundit kjo është ajo që më ka konsumuar jetën. Të gjithë kanë menduar se isha i frikësuar, por sonte kam shënuar trashëgiminë time. Kjo është mbrëmja ime e parë ku kam meçin kryesor, do të rritem dhe do të përmirësohem. Dhe nëse ai do rimeçin, atëherë le ta bëjmë”, ka thënë Fury.

Paul e rrëzoi një herë Furyn në rundin e tetë, ndonëse vetë Fury insistonte se ishte rrëshqitje. 

“Vetëm respekt për Tommyn, ai fitoi. Mos më gjykoni me fitoret e mia, por më gjykoni me humbjet e mia. Nuk e di nëse pajtohem me gjyqtarët, por është si është, kjo është bota e boksit”, ka thënë Paul.

Image

Me këtë fitore, ai është futur në renditje në versionin botëror WBC, ndërsa disa miliona euro janë ndarë për të.

Tommy Fury 23-vjeçar ka 9 fitore nga po aq meçe, ndërsa Paul ka pësuar humbjen e parë pas 6 fitoreve.