Sport

Fundi i një epoke: Aulas largohet nga skuadra e Lyonit

Jean-Michel Aulas - Lyon

Presidenti ikonik i Lyonit, Jean-Michel Aulas, do të largohet pas gati 36 vjetësh në krye të klubit francez, duke ia dorëzuar detyrat investitorit amerikan John Textor, i cili u bë aksionari kryesor vitin e kaluar. Lyoni fitoi shtatë tituj në ligë nën drejtimin e Aulasit, ndërsa ekipi i femrave u stabilizua si një forcë e madhe në Evropë.

74-vjeçari Aulas fillimisht kishte vendosur të qëndronte në pozicionin e tij edhe për tre vjet të tjerë, pas ardhjes së amerikanit Textor në dhjetor. Por klubi lëshoi një deklaratë të hënën duke thënë se Aulas në vend të kësaj do të shërbejë si kryetar nderi tani e tutje, me Textorin të emëruar shef ekzekutiv. Textor ka blerë 77.49 për qind të aksioneve në klub, duke u zotuar të sigurojë një rritje të kapitalit prej 86 milionë eurosh. Biznesmeni amerikan e bëri pasurinë e tij në mediat digjitale. Ai gjithashtu ka aksione në Crystal Palace, klubi belg i kategorisë së dytë RWD Molenbeek dhe në ekipin brazilian Botafogo.

Aulas mori Lyonin në vitin 1987, kur klubi ishte në borxhe dhe luante në nivelin e dytë të futbollit francez. Duke bërë transferime të zgjuara të lojtarëve dhe duke zhvilluar një nga akademitë më të njohura në Evropë, Aulas e rriti klubin në një entitet financiarisht të suksesshëm që zotëronte stadiumin e tij prej 59,000 ulësesh. Seria e titujve të Lyonit nga 2001 deri më 2008 e bëri atë fuqinë e futbollit francez. Lojtarë si Karim Benzema dolën nga akademia e tij. Të tjerë si mesfushori brazilian Juninho dhe Michael Essien bënë emër në klub në atë kohë. Në skenën evropiane, Lyoni dy herë arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, skuadra e femrave të Lyonit u bë forca dominuese në Evropë, duke fituar tetë tituj të Ligës së Kampionëve.

“OL Group sinqerisht falënderon Z. Jean-Michel Aulas për angazhimin dhe përkushtimin e tij të parezervë ndaj Olympique Lyonnais për më shumë se tri dekada, gjatë të cilave skuadra e meshkujve dhe e femrave fituan më shumë se 50 tituj”, tha Lyoni.

Sulmuesja e Lyonit, Ada Hegerberg, e cila fitoi “Topin e Artë” në vitin 2018, pati vetëm lëvdata për Aulasin nëpërmjet një postimi në Twitter.

“Faleminderit Jean-Michel! Faleminderit shumë, shumë!”, ka shkruar ajo.

Në vitet që nga titulli i fundit në vitin 2008, skuadra e meshkujve të Lyonit është zbehur pasi Paris Saint-Germaini imponoi dominimin e tij nën pronësinë e Katarit. Që nga qershori i vitit 2011, kur Katari mori pronësinë, PSG-ja ka fituar tetë tituj kampioni dhe Lyoni ka dalë nënkampion vetëm dy herë.

Pasi Bordeaux i dha fund ecurisë së Lyonit në vitin 2009, klubi pësoi rënie pavarësisht nxjerrjes së talenteve.

Klubi përfundoi në vendin e tetë edicionin e kaluar dhe mbeti 25 pikë prapa PSG-së. Kishte dhjetë humbje në ligë dhe 51 gola të pësuar. Nën trajnerin Laurent Blanc, klubi ka kaluar një tjetër edicion të vështirë dhe po lufton për t'u kualifikuar në garat evropiane edicionin e ardhshëm, duke qëndruar në vendin e shtatë me katër ndeshje të mbetura deri në fund të këtij edicioni.

Sipas gazetës “L'Equipe”, e cila dha lajmin për largimin e Aulasit, tensionet mes Textorit dhe presidentit të Lyonit janë rritur së fundmi, me pronarët e rinj të vendosur për të ndryshuar strukturën sportive të klubit.

“Prioritet i kryetarit, drejtorit ekzekutiv të ri dhe Bordit të drejtorëve do të jetë forcimi i vendit të Olympique Lyonnais në skenën botërore të futbollit, në përputhje me historinë e tij të shquar”, tha klubi.

“L'Equipe” raportoi se Aulas, i cili ende zotëron 9 për qind të aksioneve të klubit përmes kompanisë “Holding Holnest”, do të marrë një kompensim largimi prej 10 milionë eurosh.