Sport

Gjiganti francez me telashe brenda dhe jashtë fushës

Me humbjet në rritje dhe shitjen e vonuar të klubit, duke shkaktuar edhe më shumë probleme, Lyoni po lufton si kurrë më parë. Klubi, i cili fitoi shtatë tituj radhazi të ligës franceze (2002-2008), ka humbur katër ndeshje rresht për herë të parë që nga viti 1991. Për ta bërë situatën edhe më të keqe, shitja e klubit te një biznesmen amerikan është shtyrë për tri javë.

“E gjithë skuadra është e prekur nga kjo situatë”, tha portieri i Lyonit, Anthony Lopes. “Ne gjithashtu ndihemi të zemëruar dhe të turpëruar”.

Për vite me radhë Lyoni u kualifikua rregullisht në Ligën e Kampionëve. Por ecuria e dobët e ekipit këtë sezon duket të jetë një vazhdim i sezonit të kaluar, të cilin e mbylli në vendin e tetë e që ishte përfundimi më i keq që nga viti 1997. Madje mosmarrëveshjet e detyruan drejtorin sportiv, Juninho, të jap dorëheqje në janar të këtij viti.

Jean-Michel Aulas, i cili mori pronësinë e klubit në vitin 1987, ka qenë prapa rritjes së Lyonit. Por ai ka qenë në bisedime për t'ia shitur klubin kompanisë “Eagle Football Holdings LLC”, e kontrolluar nga biznesmeni amerikan John Textor. Marrëveshja ishte caktuar të finalizohej më 30 shtator, por është shtyrë deri më 21 tetor për shkak se të dyja palët ende po i negociojnë detajet financiare, veçanërisht një shlyerje të pjesshme të borxhit ndaj huadhënësve të klubit.

Lyoni është në vendin e shtatë pavarësisht se pati një fillim të mirë, duke grumbulluar 13 pikë në pesë ndeshjet e para. Por kundërshtarët e pesë xhirove të para, Ajaccio, Troyes, Reims, Auxerre dhe Angers, janë në pjesën e poshtme të renditjes.

Kur ekipet e forta ishin përballë, rezultatet u përmbysën për Lyonin. Ekipi nuk ka fituar asnjë pikë në katër ndeshjet e fundit, përkatësisht kundër Lorientit, Monacos, Paris Saint-Germainit dhe Lensit. Janë këto skuadra në pjesën e epërme të tabelës në Ligue 1.

Mbrojtja ishte çështja kryesore sezonin e kaluar. Lyon pësoi 51 gola në 38 ndeshje të ligës, më shumë se çdo ekip tjetër në pjesën e epërme të renditjes. E ky problem nuk është zgjidhur as këtë edicion. Lyoni humbi disa prej lojtarëve kryesorë brenda pak muajve, kur mesfushori Bruno Guimaraes iu bashkua Newcastlet në janar dhe Lucas Paqueta shkoi në West Ham në gusht. Mbrojtësi i Belgjikës, Jason Denayer, gjithashtu u lejua të largohej si lojtar i lirë para fillimit të këtij edicioni. Reparti aktual i mbrojtjes duket i papërvojë, me mbrojtësin e djathtë Malo Gusto dhe qendërmbrojtësin Castello Lukeba që i kanë nga 19 vjet. Lyoni gjithashtu ka marrë një rrezik duke u mbështetur në mbrojtje te Jerome Boateng në fund të karrierës, i cili ka humbur shtatë ndeshje për shkak të lëndimit. Mungesa e Boatengut ka bërë që trajneri i Lyonit, Peter Bosz, të luajë me Thiago Mendesin në qendër të mbrojtjes. Një mesfushor defensiv normalisht, Mendes, ka pasur vështirësi në pozitën e qendërmbrojtësit, duke bërë një gabim që çoi në gol ndaj Lorientit dhe duke shkaktuar një penallti ndaj Lensit. Lyoni nuk krijoi asnjë rast të mirë dhe nuk pati asnjë goditje në portë ndaj Lensit.

“Është e papranueshme”, tha mesfushori i Lyonit, Maxence Caqueret. “Ne duhet të punojmë edhe më shumë, duhet të jemi të pamëshirshëm dhe të tregojmë shumë më tepër dëshirë në fushë”.

Për të forcuar sulmin, Lyoni riktheu Alexandre Lacazetten, pavarësisht formës së tij të dobët në Arsenal. Sulmuesi francez shënoi vetëm katër gola në Premier League sezonin e kaluar. Çuditërisht, trajneri Bosz i ka dhënë përparësi Lacazettes karshi Moussa Dembeles, përkundër që ky i fundit ishte golashënuesi më i mirë i klubit sezonin e shkuar me 21 gola të realizuar në kampionat. Lacazette ka qenë titullar në secilën ndeshje deri më tani, ndërsa Dembele vetëm një herë ishte startues.

“Sigurisht, ne mund të bëjmë më mirë”, pranoi Bosz. “Ky nuk është Lyoni i vërtetë. Ne duhet të jemi më lart në renditje”.