Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lensi gati për kthimin e shumëpritur në Champions

Stadiumi “Bollaert-Delelis” do të shpërthejë të shtunën, me ekipin e Lensit të gatshëm për të zënë vendin e dytë në Ligue 1 dhe kështu ta sigurojë biletën për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve pas 21 vjetësh.

Fitorja kundër Ajaccios tashmë të rënë nga liga do t'i siguronte Lensit vendin e dytë që ofron një vend në garën elitare të klubeve evropiane.

Me dy ndeshje të mbetura deri në fund të edicionit, titulli i kampionit është praktikisht i paarritshëm për Lensin. Paris Saint-Germaini kryeson tabelën me gjashtë pikë më shumë dhe një diferencë shumë më të mirë golash. Parisi ka tubuar 84 pikë deri më tani, ndërsa Lensi ka 78.

Nëse Lensi gabon ka gjasa ta humbë vendin e dytë, pasi ka vetëm pesë pikë më shumë se Olympique Marseille. Skuadra e trajnerit Franck Haise, me buxhetin e dhjetë më të madh të ligës (62 milionë euro) rrallëherë i zhgënjeu tifozët vendas, duke marrë 49 pikë nga 54 të mundshme në ndeshjet në shtëpi. Me një marrëdhënie të ngushtë me tifozët dhe një skuadër që ka demantuar kritikët e ligës franceze, Lensi ka befasuar të gjithë me rezultatet e arritura. Pothuajse në secilin emision sportiv në Francë është shndërruar në temën kryesore.

“Ka shumë energji dhe emocione në zhveshtore, por kjo nuk është asgjë e re”, tha trajneri Haise, i cili do të jetë pa mbrojtësin e suspenduar Przemyslaw Frankowski të shtunën, por do të mirëpresë mbrojtësin e krahut, Kevin Danso.

Ndërkohë që turma do të përshëndetë ekipin me një interpretim të “Les Corons” - një hit francez i viteve 1980 për nder të minatorëve të Francës veriore - nuk janë planifikuar zyrtarisht festime pas ndeshjes.

“Nuk ka eufori”, tha mesfushori me tipare sulmuese Florian Sotoca. “E gjeta ekipin shumë të qetë. Ne kemi humbur vetëm katër ndeshje këtë edicion. Ne meritojmë të jetojmë këto momente, është ëndrra e çdo lojtari të luajë në Champions”.

Pasi fitoi titullin e vetëm në edicionin 1997/98, Lensi hyri në Ligën e Kampionëve edicionin pasues dhe arriti ta mposhtte Arsenalin në stadiumin “Wembley” në një ndeshje në grup. Te Lensi e dinë se janë shumë larg konkurrencës me skuadrat tjera të Championsit, por insistojnë se do të përpiqen të shkaktojnë befasi të dorës së parë.

“Ne kemi përvojë të mjaftueshme, por e kemi parasysh se do të jetë vështirë nëse nuk i respektojmë kundërshtarët tanë. Qëndrimi në elitën e futbollit francez për një kohë kaq të gjatë është gjë e re për ne dhe tani me padurim po duam ta sigurojmë Championsin”, tha Sotoca. “Do të jetë një moment i mrekullueshëm me tifozët tanë, por ne nuk kemi folur për festime. Ne nuk jemi ende në Ligën e Kampionëve dhe po shpresoj që ta konfirmojmë të shtunën”.

PSG-ja udhëton te Strasburgu dhe do të arrijë titullin e 11-të nëse shmang humbjen. Do të jetë titull rekord për parisienët. Lufta për vendet evropiane e sheh Monacon e vendit të katërt të përballet në udhëtim me Rennesin, që ka tri pikë më pak dhe renditet i gjashti.

Artikuj të ngjashëm