Sulmuesi Mirlind Daku pritet të jetë pjesë e Shqipërisë për ndeshjet e shtatorit në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Mediat në Shqipëri e kanë bërë punë të kryer ftesën e Dakut për duelet me Poloninë dhe Çekinë në kuadër të Grupit E kualifikues. Në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) kanë konfirmuar për KOHËN se Daku është në planet e Sylvinhos.
Mirëpo, nuk kanë dashur të konfirmojnë edhe ftesën për sulmuesin, i cili luan në Rusi te skuadra e Rubin Kazanit. Sylvinho të enjten pritet ta publikojë listën e lojtarëve të ftuar për këto ndeshje që vlerësohen si shumë të rëndësishme për ecurinë e Shqipërisë në këto kualifikime. Më 7 shtator Shqipëria luan në udhëtim te Polonia, ndërsa tri ditë më vonë e pret Poloninë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Daku, 25-vjeçar, në këtë afat kalimtar të verës i është bashkuar Rubin Kazanit nga Osijeku i Kroacisë. Në nëntë ndeshje të luajtura deri më tani për ekipin rus, Daku ka shënuar 2 gola dhe ka bërë 1 asistim. Ai muajin e shkuar është pajisur me pasaportën e Shqipërisë, pasi pritjes për një ftesë nga Kosova i erdhi fundi në muajin qershor kur nuk figuroi në listën e përzgjedhësit tashmë të larguar, Alain Giresse. Daku ka pesë paraqitje me “Dardanët”, por të gjitha në ndeshje miqësore. Ai ishte i ftuar te Kosova në vitet 2020 dhe 2021 për dy ndeshje të Ligës së Kombeve dhe dy të tjera të kualifikimeve për Botërorin e Katarit. Mirëpo, në asnjërën prej tyre nuk u aktivizua. Në FSHF kanë thënë se Daku është në fokusin e Sylvinhos, ndërsa kanë shtuar se duhet pritur lista e trajnerit brazilian për të parë nëse sulmuesi nga Kosova do të jetë pjesë e tij.
“Lojtari është në fokusin e skuadrës sonë kombëtare. Nëse do të jetë apo jo në këto ndeshje të muajit shtator këtë nuk mund ta them, sepse lista do të bëhet publike në ditët në vazhdim”, ka thënë për KOHËN, Andi Vreçani, shef i departamentit të komunikimit në FSHF.
Për dallim prej Dakut, në FSHF më herët kanë konfirmuar ftesën për lojtarin tjetër nga Kosova, sulmuesin e krahut Arbnor Muja. Edhe Muja ka vepruar ngjashëm si Daku, duke aplikuar për pasaportë të Shqipërisë pas injorimit të bërë nga Kosova. Në fakt Muja i bashkohet Shqipërisë pas përplasjes në distancë me ish-përzgjedhësin e Kosovës, Alain Giresse. Francezi Giresse, në konferencën për media të mbajtur për ndeshjet e qershorit, pati thënë se Muja kishte marrë ftesë të luante për Kosovën. Por, sipas tij, Muja ka kërkuar garanci se do të jetë titullar për të qenë pjesë e grumbullimit, gjë që nuk ia ka garantuar Giresse. Pak orë pas konferencës Muja reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale. Mohoi të ketë kërkuar garanci se do të luante, por pranoi se ka shprehur pakënaqësi që nuk ka luajtur në ndeshjet e marsit. Shkroi se deklarata e Giresset është e pavërtetë dhe se emrin e tij selektori nuk mund ta njollosë.
“Siç është shprehur edhe familja e vet, Arbnor Muja do të luajë për Shqipërinë dhe do të jetë në listë për ndeshjet e muajit shtator. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë për të dhe të kemi sukses në dy ndeshjet e muajit shtator”, ka thënë Verçani për KOHËN javë më parë.
Aktualisht Shqipëria është e dyta në grup me 6 pikë të mbledhura pas tri ndeshjeve të zhvilluara. Pozitën e parë e mban Çekia me 7 pikë dhe po ashtu i ka luajtur tri ndeshje deri më tani. Polonia është e parafundit me 3 pikë, ndërsa pjesë e grupit janë edhe Moldavia e Ishujt Faroe.