Eintracht Frankfurti ka hequr dorë nga ndarja e biletave për ndeshjen e Ligës së Kampionëve që luhet të mërkurën në Napoli, në shenjë proteste ndaj asaj që e quan vendim “të paligjshëm” nga zyrtarët italianë që kufizojnë shitjen e biletave për tifozët vizitorë.
Klubi i Bundesligës kundërshtoi një vendim të autoriteteve lokale në Napoli për të ndaluar të gjithë tifozët që ishin banorë të Frankfurtit të blinin bileta, pas një trazire mes tifozëve të dyja klubeve gjatë ndeshjes së parë në Gjermani. Napoli e fitoi duelin e parë 2:0 dhe është pranë kualifikimit në çerekfinale, të cilën pritet ta konfirmojë të mërkurën mbrëma në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales që luhet në stadiumin “Diego Maradona”.
“Ne nuk dëshirojmë që dikush në terren të përballet me rrezikun e qartë dhe të dukshëm të një vendimi administrativ arbitrar, llojin e të cilit ne e kemi përjetuar që në ndeshjen e parë në një mënyrë të paprecedent nga ana e të gjithë atyre që janë përgjegjës në Napoli”, tha zyrtari i Frankfurtit, Philipp Reschke. “Prandaj ne do të heqim dorë nga e gjithë ndarja jonë e biletave që na takon si mysafirë, përveç nëse ndonjë aspekt i dekretit ndryshon brenda një kohe të shkurtër, në kundërshtim me pritjet që i kemi”.
Mosmarrëveshja filloi javën e kaluar kur Ministria e Brendshme e Italisë urdhëroi Napolin të mos i shesë bileta asnjë tifozi gjerman për shkak të shqetësimeve të sigurisë, pas telasheve mes tifozëve rreth ndeshjes së parë në qytetin e Frankfurtit muajin e kaluar. Policia vendase bëri disa arrestime pas përleshjeve mes tifozëve. Apelimi i klubit të Bundesligës në një gjykatë lokale kundër vendimit ishte i suksesshëm, por prefektura e Napolit reagoi me ndalimin e shitjes së biletave për tifozët me adresa të banimit në Frankfurt.
“Dekreti i ri nuk është më pak i paligjshëm në përmbajtjen dhe arsyetimin e tij dhe për më tepër është krejtësisht i papërshtatshëm, pasi është një fakt i njohur që dy të tretat e tifozëve tanë janë nga jashtë rajonit dhe nuk vijnë nga Frankfurti”, insistoi Reschke.
Frankfurti sezonin e shkuar triumfoi në Ligën e Evropës, ndërsa këtë sezon arriti të avancojë përtej fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.