Sport

Franca ia tërheq vërejtjen Gjokoviqit

Ministrja franceze e Sportit, Amelie Oudea-Castera tha të mërkurën se mesazhi politik i Novak Gjokoviqit për Kosovën ishte “i papërshtatshëm” dhe paralajmëroi tenistin serb që mos të bëjë një gjë të tillë sërish.

Duke folur në stacionin televiziv “France 2”, Oudea-Castera tha se drejtoresha e “French Open”, Amelie Mauresmo ka folur me Gjokoviqin dhe shoqëruesit e tij për të insistuar në parimin e “neutralitetit” në fushën e lojës.

“Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe njerëzve që bashkohen rreth vlerave universale, një sportist është i lirë ta bëjë këtë”, tha ajo.

Por, Oudea-Castera shtoi se mesazhi i Gjokoviqit ishte “militant, shumë politik” dhe “nuk duhet të përsëritet”.

Pas fitores së raundit të parë në Paris të hënën, Gjokoviq shkroi në objektivin e një kamere televizive: “Kosova është zemra e Serbisë! Ndaloni dhunën”.

Duke folur para gazetarëve, Gjokoviq tha të hënën se mendonte se ajo që shkroi në kamerën televizive ishte “më e pakta që mund të bëja”.

“Ndihem përgjegjës si personazh publik...ashtu si bir i një njeriu që ka lindur në Kosovë”, tha ai.

Pa përmendur emrin e Gjokoviqit, organizatorët e Grand Slamit “French Open” treguan në një deklaratë të lëshuar të martën se asnjë rregull nuk ishte shkelur, duke thënë: “Me raste, diskutimet rreth ngjarjeve të lajmeve ndërkombëtare hyjnë në fushën e turneut, gjë që është e kuptueshme”.

Veprimi i Gjokoviqit ka tërhequr reagime të shumta, ku Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Tenisit e Kosovës kanë kërkuar ndëshkimin e tenistit serb për propagandën pro-serbe.