Pas reagimeve nga Kosova për provokimet e tenistit serb, Novak Gjokoviq, që në turneun Grand Slam “French Open” shkroi në objektivin e kamerës “Kosova është zemra e Serbisë”, ka ardhur edhe reagimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
IOC-ja, që dënon deklaratat e mesazhet politike në fushën e lojës dhe në ceremonitë e ndarjes së medaljeve në Olimpiada, ka deklaruar se nuk ka çfarë të thotë për shkak se Grand Slamet e tenisit kanë rregullat e tyre. Kështu, provokatori Gjokoviq pritet të kalojë pa dënim për provokimin në Francë.
“French Open drejtohet nga autoriteti përkatës i Grand Slamit dhe qeveriset nga rregullat e tij”, ka thënë një zëdhënës i IOC-së të mërkurën.
“Vetëm gjatë Lojërave Olimpike sportistët janë nën autoritetin e IOC-së”, ka shtuar ai. Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Federata e Tenisit të Kosovës kanë reaguar pas asaj që bëri Gjokoviqi në turneun e madh të tenisit. Organizatorët e turneut kanë thënë se nuk do të ketë dënime për tenistin serb, pasi nuk është e përcaktuar se çka mund të deklarojnë tenistët gjatë Grand Slameve.
Ka reaguar edhe ministrja e Sportit në Francë, Amelie Oudea-Castera, duke thënë se veprimi i Gjokoviqit ishte “militant, shumë politik”, dhe se një gjë e tillë “nuk duhet të përsëritet”. Tenisti serb ka theksuar se nuk është pishman për veprimin.