Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Federata e tenisit ndjen keqardhje për mesazhin e Gjokoviqit

Federata e Tenisit të Kosovës (FTK), nëpërmjet një deklarate për shtyp, e ka vlerësuar si tejet provokativ mesazhin e Novak Gjokoviqit në Grand Slamin “French Open”.

Gjokoviq pas fitores në rundin e parë të këtij turneu, bëri deklarata pro-serbe dhe sipas federatës së tenisit kosovar ato rezultojnë direkt në ngritjen e tenisioneve mes Serbisë dhe Kosovës. FTK-ja ka rekomanduar të gjithë sportistët që të punojnë për paqen dhe mos ta shfrytëzojnë famën e tyre për qëllime politike. Gjokoviq shkroi mesazhin

“Kosova është zemra e Serbisë! Ndaloni dhunën”, ndërsa me propaganda të tilla vazhdoi edhe në konferencën për shtyp duke ngritur reagime të shumta. “Komentet e bëra nga Novak Gjokoviq në fund të ndeshjes së Ronald Garros kundër Aleksandar Kovaçeviq, deklaratat e tij në konferencën për shtyp pas ndeshjes dhe postimi i tij në Instagram paraqesin një sërë aktesh thellësisht për keqardhje”, thuhet në deklaratën e FTK-së.

“Federata e Tenisit e Kosovës vazhdon të rekomandojë fuqishëm sportistët dhe sportistet që të punojnë për paqen dhe të përmbahen nga keqpërdorimi i pozitës së tyre në sport për qëllime politike”.