Federata e Tenisit e Kosovës ka reaguar të enjten për provokimin e radhës nga sportistët serbë. Ekipi i Serbisë, në krye me Novak Gjokoviqin, të enjten mbrëma në prag të çerekfinales në “Davis Cup”, lëshuan këngë nacionaliste serbe.
“Davis Cup” është Kampionat Botëror i Tenisit, ndërsa po zhvillohet në Malaga të Spanjës. Në këngën nacionaliste serbe përmendet Kosova.
“Le të valojë flamuri i Serbisë nga Prizreni deri në Rumi”, është një nga fjalitë e tekstit të këngës “Gëzo popull serb”.
“Është për keqëardhje që provokime të tilla me këngë e veprime nacionaliste po ndodhin nëpër ngjarje të mëdha sportive sidomos në ‘Davis Cup’ që është edhe Kampionati Botëror i Tenisit. ITF – Federata ndërkombëtare e Tenisit si organizatore e kësaj gare është përgjegjëse dhe bashkëfajtore për këtë provokim të radhës ndaj shtetit të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera FTK-ja.
Federata e Tenisit e Kosovës ka thënë se në koordinim me institucionet shtetërore do të bëj ankesë në Federatën Ndërkombëtare të Tenisit, Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në institucionet tjera relevante. Gjokoviqi edhe në fund të muajit maj në këtë vit në turneun Grand-Slam “French Open”, kishte shkruar në kamerë “Kosova është zemra e Serbisë”.
Rasti i fundit ka nxitur edhe reagime të shumta në rrjetet sociale. Gjokoviqi njihet si nacionalist serb. Së fundmi u doli në përkrahje pjesëtarëve të vrarë të grupit terrorist që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shator.