Trajneri Hansi Flick do të mbetet në krye të Bayern Munichut edhe pas përfundimit të sezonit aktual, ka insistuar presidenti i ekipit bavarez Karl-Heinz Rummenigge.
Rummenigge ka thënë se nuk vjen në shprehje që Flick të largohet nga Bayerni, ekip me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2023. Flick është njëri prej kandidatëve kryesor për ta zëvendësuar Joachim Loewin te Përfaqësuesja e Gjermanisë pas përfundimit të Kampionatit Evropian.
“Do të ishte çmenduri nëse e largojmë Flickun pasi ne jemi shumë të kënaqur me punën që po e bën. Ai ka kontratë me Bayernin dhe do të mbetet në krye të ekipit, pavarësisht të gjitha spekulimeve për të ardhmen e tij”, ka thënë Rummenigge.
Flick mori drejtimin e Bayernit në fund të vitit 2019 dhe sezonin e kaluar fitoi gjithçka që mund të fitohet në nivel klubesh.