Sindikata globale e futbollistëve po i kërkon FIFA-s që të lejojë lojtarët e huaj me bazë në Rusi të largohen përgjithmonë nga klubet e tyre, megjithëse organi qeverisës i futbollit botëror duket i vendosur të lejojë vetëm një pezullim të përkohshëm të kontratave të tyre.
FIFPRO dhe organizata që përfaqëson ligat botërore të futbollit - Forumi i Ligave Botërore (WLF) - i kanë shkruar FIFA-s duke kërkuar leje për lojtarët në Rusi që të ndërpresin kontratat me klubet e tyre.
Dy organizatave u është thënë se lojtarët mund të kalojnë vetëm përkohësisht në një klub tjetër, deri më 30 qershor të këtij viti, por më pas duhet të kthehen në Rusi.
Një vendim përfundimtar do të merret nga Byroja e FIFA-s, e cila përfshin presidentët e gjashtë konfederatave.
Pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, FIFA e pezulloi nga ndeshjet ndërkombëtare, por ende nuk e ka pezulluar federatën ruse apo zyrtarët e saj të futbollit. Organizata ombrellë që përfaqëson ligat evropiane ka përjashtuar tashmë ligën kryesore të Rusisë.
Ka qindra lojtarë të huaj në Rusi që nuk do të jenë në gjendje të largohen nga klubet e tyre ose të nënshkruajnë kontrata me ekipe të reja jashtë dy periudhave të transferimit brenda një viti.
Sekretari i përgjithshëm i FIFPRO, Jonas Baer-Hoffmann dhe homologu i tij i WLF-së, Jerome Perlemuter, i shkruan FIFA-s për të ngritur çështjen e lejimit të lojtarëve për të vazhduar karrierën e tyre në një vend tjetër pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Këta lojtarë të huaj mund me të drejtë të konsiderojnë se nuk janë të gatshëm të përfaqësojnë më një ekip rus”, shkruhet në letrën që Baer-Hoffmann dhe Perlemuter i dërguan sekretares së përgjithshme të FIFA-s, Fatma Samoura. “Ata duhet të jenë në gjendje të ndërpresin menjëherë kontratën me punëdhënësin e tyre pa u përballur me ndonjë pasojë apo çfarëdo sanksioni nga organizmat ndërkombëtarë dhe të regjistrohen në një klub të ri pa u kufizuar nga rregulloret e periudhës së transferimit”.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, pasi Rusia e organizoi Kampionatin Botëror të vitit 2018. FIFA ka refuzuar të japë detaje shtesë rreth Rusisë dhe nëse presidenti Infantino ka qenë në kontakt me Putinin, i cili i dha atij medaljen e Urdhrit të Miqësisë së Rusisë.
Klubet ruse tashmë po përballen me largimin e lojtarëve të huaj, përfshirë edhe me dy trajnerë gjermanë.
Daniel Farke u largua nga FC Krasnodari pas shtatë javësh, ndërsa Markus Gisdol u largua nga Lokomotiva e Moskës. Liga e futbollit të Ukrainës është pezulluar për shkak të luftës që e ka përfshirë vendin. Rusia më 24 shkurt i nisi sulmet ndaj Ukrainës, ndaj të cilave ka reaguar gjithë komuniteti sportiv. Liga e Rusisë po vazhdon të zhvillohet.