Sport

FIFA anulon ndeshjen kualifikuese mes Brazilit e Argjentinës

Ndeshja kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” ndërmjet Brazilit dhe Argjentinës që u anulua, nuk do të zhvillohet. Ky është vendimi që FIFA e ka marrë të martën, kanë njoftuar mediumet e huaja të martën.

Në fakt, FIFA kishte kërkuar që kjo ndeshje të luhet në muajin shtator, por si Brazili edhe Argjentina kishin refuzuar një gjë të tillë për shkak të rrezikut nga lëndimet e lojtarëve në prag të Botërorit që nis në muajin nëntor.

Si Brazili, ashtu edhe Argjentina tashmë janë kualifikuar për turneun që do të mbahet në Katar. Ndeshja mes Brazilit dhe Argjentinës ishte ndërprerë pak minuta pasi kishte filluar në shtator kur zyrtarët shëndetësor të Brazilit konstatuan se disa prej lojtarëve argjentinas kishin thyer rregullat anti-Covid.

Mësohet se deri të anulimi i kësaj ndeshjeje ka ardhur pas ndërhyrjes se një agjencie juridike. Kjo e fundit, ka arritur marrëveshje me Federatën e Brazilit dhe Argjentinës që të tërheqin apelet që i kishin dërguar në CAS pasi FIFA kishte vendosur që ndeshja patjetër duhej të zhvillohej. Me tërheqjen e apelimeve nga dy federatat, FIFA është pajtuar të marrë vendim për anulimin e ndeshjes. Pas këtij anulimi, Brazili në shtator do të mund t’i luajë ndeshjet miqësore para Kampionatit Botëror me Algjerinë dhe Tunizinë. Megjithatë, dy federatat do të duhet të paguajnë nga një gjobë për ndeshjen e ndërprerë më 5 shtator në Sao Paulo.