Brazili dhe Argjentina humbën apelet e tyre në FIFA, të hënën, dhe do të duhet të luajnë ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Dy gjigantët e futbollit duhet ta luajnë takimin që u ndërpre vitin e kaluar në Sao Paulo, mes kaosit në fushë të shkaktuar nga shkeljet e rregullave të pandemisë.
Ishte në një nga skenat më të çuditshme të kualifikimeve për Botëror, me zyrtarët brazilianë të shëndetësisë që dolën në fushë disa minuta pas fillimit të ndeshjes, shtatorin e kaluar, për të kundërshtuar statusin e karantinës së disa lojtarëve të Argjentinës.
Të dy përfaqësueset u kualifikuan lehtësisht në Kupën e Botës si dy më të mirat në grupin e Amerikës së Jugut me 10 vende, pa pasur nevojë të luanin ndeshjen e ndërprerë. Si Brazili ashtu edhe Argjentina morën pjesë në tërheqjen e shortit muajin e kaluar për turneun final, i cili është planifikuar të luhet nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor në Katar.
Megjithatë, vendimi i fundit i FIFA-s do të thotë se Brazili dhe Argjentina duhet të luajnë lojën e tyre të 18-të kualifikuese, në thelb të pakuptimtë, ndoshta në muajin shtator. Mund të jetë kjo hera e dytë që rivalët takohen përpara se të shkojnë në Katar. Që nga vendimi fillestar disiplinor i FIFA-s në muajin shkurt - i cili vendosi gjoba, pezullime të lojtarëve dhe një urdhër për të zhvilluar sërish ndeshjen kualifikuese - federatat e futbollit të Brazilit dhe Argjentinës ranë dakord të luanin një lojë miqësore në Australi. Ky duel, që ndryshe njihet si “Superclasico”, është planifikuar të zhvillohet më 11 qershor në Melbourne të Australisë.
Të dy federatat mund ta kundërshtojnë sërish FIFA-n duke bërë apel në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) për ta anuluar urdhrin e përsëritjes së ndeshjes.
FIFA zvogëloi shumën me të cilën dy federatat u gjobitën. Brazili tani është urdhëruar të paguajë 250.000 franga zvicerane për “shkeljet në lidhje me rendin dhe sigurinë” në ndeshje. Argjentina tani është gjobitur me 100.000 franga zvicerane për “detyrimet në lidhje me përgatitjen dhe pjesëmarrjen e saj në ndeshje”. Të dy federatat do të paguajnë gjithashtu nga 50.000 franga zvicerane për braktisjen e lojës.
Katër lojtarë të Argjentinës, që bëjnë karrierë në klubet e Premier Leagues së Anglisë, u akuzuan për falsifikim të dokumenteve të koronavirusit për të hyrë në Brazil, duke mos deklaruar se kishin qenë në Britaninë e listës së kuqe në 14 ditët e mëparshme. Emiliano Buendia, Emiliano Martinez, Giovani Lo Celso dhe Cristian Romero u suspenduan për dy ndeshje të organizuara nga FIFA.
Përfaqësuesja e Argjentinës do të përballet me Meksikën, Poloninë dhe Arabinë Saudite në Kupën e Botës. Brazili do të luajë me Zvicrën, Serbinë dhe Kamerunin.