Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka marrë vendim në lidhje me ndeshjen eliminatore për Botërorin 2022 në Katar mes Brazilit e Argjentinës që ishte ndërprerë më 5 shtator të vitit të kaluar.
Komiteti Disiplinor ka vendosur që ndeshja duhet të luhet sërish në një datë dhe lokacion që do të vendoset nga FIFA.
Ndërsa ka marrë masa si ndaj Federatës së Brazilit ashtu edhe asaj të Argjentinës.
Federata e Futbollit të Brazilit është gjobitur me 500 mijë franga zvicerane në lidhje me shkelje që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rendin. Ajo e Argjentinës me 200 mijë franga zvicerane pasi nuk ka përmbushur obligimet në lidhje me sigurinë dhe rendin dhe përgatitjen për të marrë pjesë në ndeshje.
Po ashtu dy federatat do të duhet të paguajnë nga 50 mijë franga për shkak se ndeshja nuk u zhvillua.
Ndërsa lojtarët argjentinas Emiliano Buendia, Emiliano Martinez, Giovani Lo Celso dhe Cristian Romero janë dënuar me nga dy ndeshje moslojë pasi nuk kanë vepruar në përputhje me rregullat e FIFA-s.
Ndeshja ishte ndërprerë në minutat e parë, pasi që autoritetet shëndetësore braziliane ishin futur në fushë duke tentuar të largonin lojtarët argjentinasë të klubeve të Premier Leagues së Anglisë. Kjo për shkak të masave që kishte vendosur Brazili ndaj qytetarëve që vinin nga Britania e Madhe, shkaku i pandemisë COVID-19.