Javën e kaluar, një ekspert i fushave të futbollit këshilloi Federatën e Futbollit të Kosovës që ta riparojë fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” dhe që ta shfrytëzojë sa më pak atë për ndeshje. Me gjithë rekomandimin e ekspertit britanik, Dean Gilasbey, FFK-ja këtë javë dha leje që në stadiumin në Prishtinë të luhet derbi gjilanas mes Dritës dhe Gjilanit.
Derbi u fitua nga Gjilani me 2:0, ndërsa në tribuna pati rrahje mes tifozëve. Në të vërtetë pas pjesës së parë erdhi tek incidenti ku u përfshinë tifozët e dy skuadrave të qytetit të Gjilanit, Intelektualët e Dritës dhe Skifterat e Gjilanit. Intelektualët kaluan rrethojën dhe dolën në pjesën ku ishin Skifterat, ku erdhi tek incidenti. Në momentin kur ka ndodhur incidenti nuk ka pasur forca të policisë në atë pjesë, apo të paktën forca të mjaftueshme. Pjesa e dytë e takimit nisi me vonesë pasi te Gjilani vlerësonin se nuk kishte siguri të mjaftueshme për të vazhduar takimi.
Në Federatën e Futbollit të Kosovës e kanë dënuar incidentin. Dhe po ashtu vlerësojnë se nuk morën “falënderimin” e duhur për vendimin për ta liruar stadiumin e vetëm në vend që plotëson kushtet për ndeshje ndërkombëtare.
“Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër aktet e dhunës nga tifozeritë e dy skuadrave në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në ndeshjen mes Dritës e Gjilanit. Të gjitha organet e Federatës do t’i shqyrtojnë me kujdes ato që ndodhën në ndeshjen e sotme dhe ndaj shkelësve të rendit dhe të rregulloreve do të ndërmarrin masat e nevojshme. FFK-ja është e indinjuar me sjelljet vandale të tifozerive të të dyja skuadrave si dhe me organizimin e dobët të ndeshjes”, ka thënë për KOHËN, Blerim Halimi, zyrtar për media i FFK-së.
Incidenti në derbin gjilanas do të ndikojë që skuadrat tjera mos të kenë mundësi ta shfrytëzojnë stadiumin “Fadil Vokrri”. Në këtë stadium ndeshjet i luan Prishtina, ndërsa herë pas here edhe skuadrat e tjera. Llapi e ka shfrytëzuar atë javë më parë. Po ashtu, në “Fadil Vokrri” luajnë ekipet përfaqësuese të Kosovës dhe skuadrat kosovare në kupat evropiane.
“FFK-ja ua bën të qartë klubeve se kjo do të jetë hera e fundit që ka dhënë leje për zhvillimin e ndeshjeve në ‘Fadil Vokrri’, ngase ky është stadiumi i vetëm që i plotëson kushtet për ndeshje ndërkombëtare dhe është stadium i kombëtares të cilin duhet ta ruajmë të gjithë e jo të bëjnë sjellje vandale dhe ta dëmtojnë inventarin. Federata vazhdimisht po u del në përkrahje klubeve, por njerëz të pandërgjegjshëm po e keqpërdorin këtë, duke shkatërruar atë që është bërë me shumë mund e djersë”, ka shtuar zyrtari për media i FFK-së.