Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Festa e Napolit do të vazhdojë deri në fund të edicionit

Qyteti i Napolit u zgjua të premten ende i “trullosur” nga gëzimi, pas një nate të kaluar duke festuar titullin e parë të ekipit në Serie A në 33 vjet. Festa megjithatë u dëmtua nga një vdekje dhe qindra të lënduar.

“Ishte nata më e bukur”, tha Francesca Raucci, e cila po e çonte djalin e saj në shkollë në qytetin jugor italian, pasi kishte fjetur në orën katër të mëngjesit. “Ishte një emocion unik, pati një vërshim njerëzish, ata po përqafonin njëri-tjetrin, po kërcenin”.

Gjatë gjithë natës rrugët e ngushta të Napolit ishin të mbushura me tingujt e brohoritjeve, fishekzjarrëve, makinave dhe skuterëve që u binin borive, ndërsa qytetarët valëvitnin flamuj dhe mbanin pankarta. Barazimi 1:1 i Napolit ndaj Udineses në mbrëmjen e së enjtes i ka siguruar titullin skuadrës së trajnerit Luciano Spalletti. Është titulli i parë që nga epoka e Diego Maradonas, i cili udhëhoqi ekipin napolitan drejt suksesit në vitet 1987 dhe 1990. Tifozët ishin përgatitur për javë të tëra për të festuar pasi Napoli krijoi një epërsi gjithnjë e më të paarritshme ndaj rivalit më të afërt në tabelë, Lazios. Flamujt blu dhe shamitë stolisnin çdo sipërfaqe të mundshme të qendrës së qytetit, ashtu si edhe imazhet e Maradonës dhe sulmuesit Victor Osimhen, goli i të cilit të enjten mbrëma ia siguroi titullin e kampionit klubit më të madh të Italisë jugore.

Emanuele Canzano, 42 vjeç, ishte ndër ata që nuk kanë fjetur shumë pasi kanë festuar. Por ai të premten në mëngjes u nis për në punë i lumtur, duke mbajtur veshur fanellën e Napolit. Edhe djali i tij i porsalindur po flinte me pizhame të Napolit.

“Ne pritëm 33 vjet, ai priti vetëm dhjetë ditë!”, tha Canzano duke qeshur.

Edhe Festa është zëvendësuar me shqetësim te Napoli pas startit të dobët Sport Festa është zëvendësuar me shqetësim te Napoli pas startit të dobët

Mbledhësit e mbeturinave ishin të zënë me pastrimin e rrugëve të premten në mëngjes dhe një shitës ambulant vazhdoi të përpiqej të nxiste biznesin, duke thirrur “Flamuj, fanella, shalle – Përpara Napoli!”.

Festimet u dëmtuan nga vdekja e një 26-vjeçari nga plagët e marra nga një armë zjarri, pas një incidenti në të cilin u plagosën tre persona të tjerë. Por nuk ishte menjëherë e qartë nëse të shtënat ishin të lidhura me festimet, pasi mediumet sugjeronin se viktima ishte e lidhur me një klan mafioz lokal. Gjithsej 203 persona janë trajtuar në spitalet e qytetit gjatë natës, sipas autoriteteve shëndetësore, 22 prej tyre në gjendje të rëndë. Pati plagë me thikë, persona të plagosur nga fishekzjarrët ose që vuanin nga thithja e tymit apo mbidoza e kokainës.

Suksesi i Napolit pushtoi faqet e para të të gjitha gazetave kryesore italiane të premten, ndërsa gazeta lokale “Il Mattino” botoi një shkrim special me titull: “Napoli këndon”.

“Nën shenjën e mbretit Diego” ishte një tjetër titull i saj, duke demonstruar dashurinë e qëndrueshme të qytetit të Napolit për legjendën e ndjerë. Maradona, i cili vdiq në vitin 2020 në moshën 60-vjeçare, udhëhoqi Napolin drejt dy titujve të parë, duke siguruar adhurimin e përjetshëm të tifozëve të klubit. Shumë nga ata që festonin - duke përfshirë trajnerin Spalletti - përshkruan se si Maradona po vëzhgonte ekipin.

Ish-mesfushori Alemao, i cili fitoi titullin me Napolin në vitin 1990, tha se ishte i trishtuar që shoku i tij nuk ishte gjallë për të festuar. Duke parë fitoren e Napolit “do ta kishte bërë atë vërtet të lumtur”, tha 61-vjeçari brazilian në një intervistë në qytetin e tij të lindjes Lavras, në shtetin juglindor të Minas Gerais në Brazil.

“Ai e meritonte të jetonte më gjatë”, tha Alemao.

Edhe Napoli përshëndetet me Spallettin me ngritje të trofeut Sport Napoli përshëndetet me Spallettin me ngritje të trofeut

Festimet do të zgjasin deri në fund të edicionit, pasi për fundjavë as që diskutohet. Ndeshjen e radhës Napoli e luan në shtëpi kundër Fiorentinës të dielën në mbrëmje dhe pritet të ketë një festë të çmendur. Ende euforik pas festimeve të së enjtes, Giuseppe Posticlione, 46 vjeç, u nis për në punë mes rrugëve të mbushura me shishe dhe kujtime të tjera të festës.

“Pas 33 vjetësh ishte madhështore”, tha ai për triumfin e Napolit. “E diela në stadium do të jetë e mrekullueshme dhe ne do të jemi atje. Në fakt do të festohet deri në fund të këtij edicioni”.