Skuadra e Ferizajt të premten ka nisur përgatitjet për sezonin 2022/23 në Superligën e Kosovës në futboll.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ferizaj ka njoftuar se në stërvitjen e parë të trajnerit Arbnor Morina ishin të pranishëm të gjithë futbollistët.
Ferizaj sezonin e fundit, e fitoi titullin e kampionit në Ligën e Parë për t’u kthyer në elitë për edicionin e ri.
“Në stërvitje ishin të pranishëm të gjithë futbollistët, të cilët ishin në formë të mirë fizike. Stërvitjet kanë shkuar sipas planit, ku shtabi teknik u ndan mjaftë të kënaqur me përgatitjen fizike të futbollistëve, të cilët e kanë ruajtur formën e tyre edhe përkundër që ishin në pushim disa javorë. Në stërvitjen e parë ishte një atmosferë impozante brenda klubit, ku të gjithë futbollistët e shtabi teknik ishin të gatshëm të punojnë shumë që t'i arrijmë synimet tona”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ferizaj ka qenë një prej ekipeve më aktive sa i përket transferimeve, pasi deri më tani është forcuar me shtatë futbollistë.