Sport

Fazlija: Kosova nuk i trembet Norvegjisë

Përzgjedhësja e Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave, Afërdita Fazlija, ka deklaruar në konferencën për media se nuk kanë frikë nga Norvegjia, e cila në javën që shkoi e mposhti Armeninë 10:0.

Sipas saj, Kosova është përgatitur maksimalisht për përballjen me norvegjezet.

“Pas ndeshjes me Shqipërinë, kishim tri ditë që të përgatitemi për duelin që na pret kundër Norvegjisë. Norvegjia është kombëtare e respektuar. Ka një futboll të avancuar. Në këta muaj e kemi përcjellë në detaje. Fitorja e tyre e thellë kundër Armenisë nuk na ka trembur, edhe pse në këtë format është humbje e thellë. Lojën dhe strategjinë që e ka aplikuar Armenia, nuk do ta aplikojmë ne. Do të mundohemi që të jemi të disiplinuara”, u shpreh Fazlija.

E pranon se Kosova do të luajë lojë defanzive ndaj Norvegjisë.

“Kosova zhvillon futboll të bukur dhe të hapur. Por, ndaj Norvegjisë kufizohet loja e Kosovës. Do të luajmë me sistemi, 5-4-1. Pra, do të luajmë lojë më defanzive. Armët e forta të Norvegjisë janë përgatitja fizike, është ekip që e qarkullon shumë mirë topin, luajnë me të parën shumë mirë e po ashtu luajnë shumë mirë edhe pa top, e që është qelësi i suksesit te femrat. Megjithatë ne i kemi marrë masat, kemi pasur ndeshje që nuk mund të lavdërohemi, si me Holandën ku kemi rezistuar ndaj tyre pa pësuar gol për 45 minuta. Kemi fatin që kemi lojtare që vijnë nga diaspora dhe do ta bëjmë një ndeshje të mirë”, Fazlija.

Kosova barazoi 1:1 me Shqipërinë në “Elbasan Arena” në ndeshjen e parë kualifikuese për Botërorin e vitit 2023. Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” prej orës 19:00.


Mehmeti dhe Kryeziu premtojnë maksimumin kundër Norvegjisë

Dy futbollistet e Kosovës, Erëleta Mehmeti dhe Edona Kryeziu, kanë premtuar maksimumin kundër Norvegjisë. Vashat e Kosovës, të martën prej orës 19:00 do të takohen me Norvegjinë në “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2023.

“Norvegjia është e fortë. E kemi përcjellë. Ne jemi përgatitur për ta dhënë maksimumin. Nuk kemi frikë dhe do të dalim në fushë për të arritur rezultat pozitiv”, u shpreh Mehmeti, e cila luan te Freiburgu në Gjermani.

“E njohim mirë Norvegjinë, por ne do ta respektojmë veten. Do ta japim maksimumin dhe presim rezultat të mirë. Duke e njohur edhe kundërshtarin, ne nuk do të dorëzohemi, por do ta japim më të mirën”, deklaroi Edona Kryeziu.