Në vitin 1991 në Bruksel të Belgjikës ishte mbajtur ngjarja e parë për sportistët e rinj, që tani njihet si Festivali Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF). Prej atëherë, çdo dy vjet mbahet EYOF-i veror dhe dimëror. Prej vitit 2015 pjesë e EYOF-it veror është edhe Kosova.
Edicioni i ri i Festivalit Olimpik Evropian Veror për të Rinj mbahet në Maribor të Sllovenisë prej të dieles e deri më 29 korrik. Sportistët e rinj nga 48 shtete evropiane tashmë kanë nisur të mblidhen në Maribor. Drejt qytetit slloven të shtunën kanë udhëtuar edhe 19 sportistët e rinj të Kosovës, që do të jenë në mesin e 3617 pjesëmarrësve.
Në EYOF-in në Maribor do të garohet në 11 sporte të ndryshme: atletikë, basketboll, hendboll, xhudo, gjimnastikë artistike, çiklizëm malor, çiklizëm rruge, skateboarding, not, tenis dhe volejboll.
“Me traditë mbi 30-vjeçare, Festivali Evropian Olimpik për të Rinj është ngjarja më e madhe multisportive për sportistët nga 14 deri në 18 vjet. Edicionet verore i kanë rreth 3600 sportistë, ndërsa edicionet dimërore rreth 1600”, shkruan në faqen zyrtare të ngjarjes në Maribor.
Për herë të parë në EYOF janë përfshirë sportet si skateboarding, çiklizëm malor dhe basketbolli 3x3.
Festivali e ka për synim që sportistëve të rinj t’ua jap përshtypjet e para të Lojërave Olimpike. Shumë prej pjesëmarrësve motivohen për të ndjekur ëndrrën që një ditë të marrin pjesë në Lojëra Olimpike dhe për më tepër të fitojnë medaljet më të vlefshme në sport.
“Festivali inkurajon sportistët dhe pjesëmarrësit e tjerë të ndjekin principet e ferplejit, tolerancës dhe miqësisë, sipas frymës olimpike”, shkruan tutje në prezantimin e EYOF-it në faqen zyrtare.
Ngjarjen e organizon Komiteti Olimpik Evropian. Rusia dhe Bjellorusia aktualisht nuk lejohen në garat e Komitetit Olimpik Evropian. Sportistët e këtyre dy shteteve nuk ishin as në Lojërat Evropiane në Poloni.
Prej atje, Kosova u kthye pa medalje. Por synohen medalje në Slloveni.
Kosova prezantohet me gjashtë xhudistë. Nga katër garues do t’i ketë në atletikë, not dhe tenis, ndërsa një në çiklizëm. Ka pasur akuza për mospërfshirjen e një notareje, por Komiteti Olimpik i Kosovës nuk ka reaguar dhe lista ka mbetur e njëjtë. Shpresat më të mëdha për sukses janë nga xhudistët e rinj: Laurinë Gashi, Uvejs Nesimi, Andi Reshitaj, Jon Veseli, Art Thaçi, Blin Kuka.
Konkurrenca në EYOF vlerësohet e fortë. Kosova e ka një medaljederi më tani nga kjo ngjarje. Në vitin 2019 në Baku, Muhamet Ramadani kishte fituar medalje të artë.