Kosova e ka përfunduar edhe një ngjarje të rëndësishme sportive pa medalje të fituar. Bëhet fjalë për Festivalin Olimpik Evropian Veror për të Rinj (EYOF) që të shtunën (sot) mbyllet në Maribor të Sllovenisë. Medalje kanë fituar mbi 30 vende evropiane, por jo edhe Kosova.
Kosova kishte mbetur pa medalje edhe në Lojërat Evropiane që më herët këtë verë u mbajtën në Poloni. Kosova kishte fituar medalje falë xhudistëve në dy edicionet e kaluara të Lojërave Evropiane. Në Poloni nuk ishin xhudistët dhe delegacioni i Kosovës u kthye pa medalje.
Në EYOF në Maribor xhudistët ishin të vetmit që iu afruan medaljes. Të premten Blin Kuka u rendit i pesti në kategorinë deri 90 kilogramë. Për medalje të bronztë humbi nga spanjolli Antonio Ramirez Perez. Kuka në fakt e dominoi luftën, por i kushtoi pakujdesia. Humbi për shkak të pësimit të tri dënimeve.
Të mërkurën, Laurinë Gashi u rendit e shtata.
Në sportet tjera, të rinjtë kosovarë dëshpëruan me paraqitje. Luftuan për të shmangur pozitat e fundit dhe humbjet e thella në duelet e para. Rrallë e arritën këtë.
EYOF-i është ngjarje cilësore për sportistët prej 14 deri në 18 vjet. Konkurrenca vlerësohet e fortë. Dhe kjo ngjarje vlerësohet se tregon shumë edhe për të ardhmen e vendeve evropiane në sport.
Kosova në Maribor garoi edhe në atletikë, not, tenis dhe çiklizëm të rrugës. Është garuar edhe në basketbollin 3x3, gjimnastikë artistike, hendboll, “skatebording” e volejboll.
“Blini e ka merituar medaljen. E ka dominuar kundërshtarin, por nuk ishte sa duhet i kujdesshëm. Blini ka potencial, por duhet të ketë vetëbesim më të madh. Nuk kam asnjë dyshim që ishte më i mirë se kundërshtari nga Spanja. Blini bëri hap para dhe është mëkat që nuk kthehet me medalje. Nga xhudoja çdo vit del ndonjë emër i ri. Sivjet doli Blini”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Xhudistët e tij janë shkëputur ndjeshëm me pjesën tjetër të sportistëve në vend. Por edhe në gjeneratat e reja xhudistët po qëndrojnë më gjatë. Ngjarja në Maribor e dëshmon këtë. Driton Kuka është i vetëdijshëm që sporti kosovar nuk po shkon në drejtimin e duhur.
“Për fat të keq xhudoja ishte e vetmja me paraqitje pozitive. Ka ngecje me gjenerata. E kjo tregon që e ardhmja e sportit dhe puna me të rinj në federata po ngec. Puna me të rinj është baza. Ka pak përgjegjësi në federata. Madje disa nuk e marrin fare seriozisht”, ka thënë Kuka.
Gjasat janë të mëdha që xhudistët të jenë të vetmit me paraqitje të mirë në Olimpiadën e ardhshme, njëjtë si në Rio dhe Tokio. Aktualisht vetëm xhudistët janë në zonën që siguron normë për “Parisi 2024”.
Paraqitja në EYOF 2023 duhet të shërbejë si vërejtje për përgjegjësit në federata, por edhe ata në KOK dhe në MKRS. Nëse nuk ka ndonjë ndryshim të shpejtë në qasje edhe për Lojërat Olimpike të vitit 2028, xhudoja ka gjasa të jetë dukshëm para sporteve të tjera. Dhe sërish ngjarjet si EYOF-i do të shërbejnë për shumicën si “përvojë e mirë” për garat e ardhshme.