Sport

Erjon Kastrati u kthye në Kosovë për trofe

Në mbrëmjen e së martës, tri orë para paralajmërimit për një transferim të madh në Facebook, skuadra e Superligës së Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli, konfirmoi se ka angazhuar reprezentuesin e Kosovës, Erjon Kastrati. Kastrati (198 cm) së shpejti do t’i bashkohet skuadrës së Yllit dhe ka firmosur kontratë deri në fund të këtij edicioni. Ai u largua nga Koper Primorska për shkak se skuadra sllovene bankrotoi dhe insiston se kthimi në Kosovë në asnjë mënyrë nuk është kthim prapa në karrierën e tij. Ai me padurim pret debutimin me fanellën e ekipit nga Suhareka në Superligën e Kosovës. Kastrati insiston se për një muaj qëndroi lojtar i lirë, me gjithë që kishte kontratë me Koper Primorskan deri në fund të sezonit 2020/21. Ai pranoi se kishte shumë oferta nga ekipe të ndryshme të Evropës, por në fund zgjodhi të kthehet në Kosovë pasi oferta e Yllit ishte më e mira dhe më joshësja.

“Basketbolli në Evropë është në krizë të madhe për shkak të pandemisë dhe po ashtu, besoj se e dini, që klubi me të cilin kam pasur kontratë deri në fund të sezonit, Koper Primorska, ka bankrotuar. Prej datës 6 dhjetor kam qenë lojtar i lirë dhe me agjencinë, pjesë e së cilës jam, kemi biseduar me disa ekipe si në Evropë ashtu edhe në Kosovë. Në fund zgjodha Yllin dhe madje për arsye të thjeshtë ofertën e kishte më të mirën”, ka thënë Kastrati të mërkurën për KOHËN. “Angazhimin tim te Ylli nuk e shoh aspak si kthim prapa në karrierë, pasi shumë lojtarë në Evropë kanë marrë vendime të ngjashme. Kam edhe shumë shokë/bashkëlojtarë që janë pa klub dhe po presin oferta”.

Madje Kastrati insiston se është kthyer në Kosovë për të bërë hap para në karrierë dhe ndeshjet me fanellën e Yllit do t’i ndihmojnë shumë. Gjithashtu do t’i ndihmojë edhe trajneri nga Turqia, Fatih Emre Gezer, që në fund të vitit të shkuar mori drejtimin e skuadrës.

“Ylli është ekip në ngritje dhe më ka prezantuar vizionin që më pëlqen shumë. Po ashtu kam biseduar edhe me trajnerin Gezer, i cili është i gatshëm të më ndihmojë për të bërë hap para në karrierë. Është një trajner me përvojë në Euroligë, i cili gjithashtu verës i stërvit individualisht lojtarët e NBA-së. Pra, kam besim të madh se unë dhe ekipi do ta ndihmojmë njëri-tjetrin”, tha ai.

“Së pari, shpresoj që në ekip nuk do të ketë lëndime dhe teste pozitive me koronavirus, në mënyrë që të kemi një stinor të mirë. Besoj se atmosfera brenda ekipit do të jetë fantastike, ku secili në fund të edicionit do të jetë lojtar më i mirë. Dhe natyrisht të bëjmë të pamundurën për të arritur synimet”.

Në fakt, për Kastratin kjo do të jetë hera e parë që luan në nivelin senior në Kosovë. Kastrati u largua si i ri nga Kosova, në vitin 2008, drejt Sllovenisë për t’u zhvilluar edhe më shumë si lojtar, ku edhe nuk i munguan sukseset. Basketbollisti 26-vjeçar, në vitin 2011 e nisi karrierën si profesionist në Slloveni te skuadra Union Olimpija për të vazhduar te LTH Castings Mercator, Krka dhe Egis Kormendi në Hungari. Ndërsa tani po kthehet në vendlindje pas 12 vjetësh dhe me synime të mëdha, të shkruajë historinë me Yllin. Ai synon ta fitojë titullin e kampionit të Kosovë, sukses ky që do të ishte i pari si për Yllin ashtu edhe Kastratin në basketbollin kosovar. Në Slloveni, Kastrati ka fituar tre tituj kampioni (2013, 2014, 2018), dy me fanellën e Krkas dhe një me atë të Olimpijas. Ndërsa ka edhe tre trofe të Kupës së Sllovenisë, të gjithë të fituar me skuadrën Krka. E pikërisht titullin dhe kupën Kastrati po e synon edhe me fanellën e Yllit, ndonëse pranon se nuk do të jetë aspak mision i lehtë.

“Do të jetë ndjenjë e veçantë për mua për shkak se për herë të parë po luaj në Superligën e Kosovës, të cilën e kam përcjellë vazhdimisht. Natyrisht, që edhe me Yllin kam synime të mëdha. Synojmë titullin dhe kupën, por nuk do të jetë aspak e lehtë. Jam plotësisht i vetëdijshëm se konkurrenca këtë edicion është shumë e madhe dhe e fortë. Kështu që, na pret një punë shumë e vështirë për të cilën jam plotësisht i gatshëm”, shtoi Kastrati.