Pasi e kishte mbyllur me sukses meçin e parë kundër gjermanes Maya Kleinhans, në turneun kualifikues evropian për Lojërat Olimpike, Donjeta Sadiku duhej të përballej në ring me suedezen Agnesa Lexiussion.
Por boksierja më e mirë në Kosovë mori një “goditje” të papritur. Ishte goditja e radhës “nën brez” që Donjeta ka marrë gjatë karrierës. Kësaj radhe jo shkaku i arsyeve politike, por shkaku i pandemisë.
Donjeta ishte në rrugë të mirë për të siguruar normën për lojërat olimpike “Tokio 2020”. Por, gara kualifikuese, që kishte nisur më 14 mars, u pezullua pas dy ditësh nga një organ i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që ishte përgjegjës për organizimin e turneut. Në fakt, turneu kishte nisur kur shumica e aktiviteteve sportive ndërkombëtare po anuloheshin shkaku i koronavirusit.
Ajo e cilëson si ëndërr të shtyrë sigurimin e normës, por assesi të parealizueshme.
“Viti 2021 është më i rëndësishmi në karrierën time. Kam përpara kualifikimet për Tokio. Unë kam shumë besim se do të arrij kualifikimin”, thotë me bindje të plotë Sadiku për KOHËN.
Ajo shkon edhe më larg.
“Unë dhe trajnerët e mi, Besim Brahimi dhe Marjola Sallauka, kemi qëllim të stolisemi me medalje olimpike”, ka thënë 21-vjeçarja e klubit të boksit “Gollaku”.
Sadikut i vjen keq që turneu u pezullua. Ajo ngul këmbë se ka qenë në rrugë të mirë për të siguruar normën për “Tokio 2020”. Turneu në mars u pezullua shkaku i masave izoluese në shumë shtete të Evropës dhe rritjes së presionit ndaj organizatorit, pas situatës së krijuar me COVID-19.
Sadiku është dashur të boksonte në 1/8 e finales kur turneu u pezullua. Ajo beson se nga Londra, kur të vazhdojë turneu, do të kthehet me medalje, që do t’ia siguronte edhe kualifikimin për në Tokio.
“Tash turneu është caktuar në prill të vitit të ardhshëm, por ende data jo. E di se çfarë kundërshtare do të kem përpara, por unë kam besim se do të arrij të kualifikohem. Pse jo si xhudo edhe boksi të ketë medalje olimpike”, ka shtuar boksierja prishtinase.
Sadiku e kategorisë 60 kilogramë është kthyer në ring pas rifillimit të aktiviteteve ndërkombëtare, pas ndërprerjes shkaku i pandemisë. Ka fituar medalje të argjendtë në turneun e mbajtur në tetor në Sofje të Bullgarisë.
Sadiku në vjeshtë mori pjesë në dy turne, që për të ishin të mirëseardhur. Ajo ka para edhe një Evropian, por kualifikimin në Lojërat Olimpike synon ta arrijë nëpërmjet turneut kualifikues evropian të mbetur në gjysmë.
Shtyrja e Lojërave Olimpike për verën e vitit të ardhshëm e ka gëzuar Sadikun. Ajo thotë se tash ka mundësi më të mëdha për ta fituar normën, pse jo edhe medaljen olimpike, që deri tash është fituar vetëm nga sporti i xhudos.
“Synimi është turneu kualifikues, për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike, por ka edhe turne të tjerë, në mesin e tyre edhe Kampionati Evropian U22. Synimi mbetet turneu kualifikues”, ka thënë Sadiku.
Sadiku thotë se e ka fituar përvojën edhe si seniore dhe se është gati të jetë pjesë e ekipit olimpik. Aktualisht Kosova e ka të konfirmuar vetëm një normë olimpike. Mundësi Egzon Shala do të jetë pjesëmarrës në Tokio, kurse xhudoja synon të shkojë me pesë norma olimpike.
Sadiku thotë se do të përgatitet maksimalisht për të qenë e gatshme për turneun kualifikues.
“Para kualifikimeve kam qenë në kampin përgatitor që u mbajt në Turqi. Na ka mbështetur KOK-u. Kam edhe dhjetë ditë përgatitje ku planifikojmë të shkojmë në Bullgari dhe shpresoj që sërish të gjej mbështetje nga KOK-u. Aty do të jenë shtete të forta dhe do të jetë ndihmë e madhe për mua”, ka thënë Sadiku.
Për Sadikun, turneu i Londrës nuk është e vetmja sfidë. Ajo dy herë u pengua të marrë pjesë në botërorët e organizuar në Indi. India ia pamundësoi pjesëmarrjen në Botëror, një herë si juniore dhe së fundi si seniore, shkaku që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. Por ajo thotë se pengesat e kanë bërë edhe më të fortë.
“Pengimi për të marrë pjesë në Botërorin në Indi, ka qenë një dëshpërim shumë i madh për mua, mirëpo nuk mund t’i shuajë askush ëndrrat e mia. Unë jam më e fuqishme se që kam qenë”, ka thënë Sadiku.
Sadiku është bindshëm më e suksesshmja në Kosovë, derisa suksesin më të madh e ka në vitin 2016. Fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian për të reja të mbajtur në Ordu të Turqisë.