Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sadiku mposhtet në turneun kualifikues të Parisit

Boksierja më e mirë e Kosovës, Donjeta Sadiku, është mposhtur në ndeshjen e parë në turneun kualifikues që po mbahet në Paris të Francës.

Sadiku 21-vjeçare u mposht nga boksierja suedeze, Agnes Alexiusson, me rezultatin 3:2. Me këtë humbje, boksierja më e mirë kosovare e humb mundësinë që të shkojë në Japoni për Lojërat Olimpike me normë. I kishte në program t’i zhvillojë dy meçe, e i janë dashur dy fitore në kategorinë e saj 60 kilogramë.

Ky turne nisi vitin e kaluar, por u ndërpre për shkak të përhapjes së koronavirusit. Sadiku e kishte fituar ndeshjen e parë ndaj gjermanes Maya Kleinhans.

Përgatitjet për këtë turne kualifikues për “Tokio 2020”, Sadiku i kreu në Finlandë dhe Bullgari.

Ajo e ka të fituar një medalje të argjendtë në turneun e mbajtur në tetor, në Sofje të Bullgarisë. Suksesin më të madh e ka në vitin 2016-të, kur e fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian për të reja të mbajtur në Ordu të Turqisë.

Edhe Boksierja më e mirë në Kosovë merr goditjen e radhës “nën brez” Sport Boksierja më e mirë në Kosovë merr goditjen e radhës “nën brez”

Dy herë iu pamundësua pjesëmarrja në Botëror, një si juniorë dhe një si seniore, që të dyja në Indi. Shteti indian ishte pengesë për të pasi nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Aktualisht, Kosova i ka të konfirmuara gjashtë norma olimpike për “Tokio 2020” që zhvillohet këtë verë. Pesë prej normave olimpike vijnë nga sporti i xhudos dhe një nga mundja.