Po bëhet gati një vit që kur Donjeta Sadiku nisi mbarë rrugën për të siguruar normën për lojërat olimpike “Tokio 2020”. Por gara kualifikuese në Londër, që kishte nisur më 14 mars, u pezullua pas dy ditësh nga një organ i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që ishte përgjegjës për organizimin e turneut.
Në fakt, turneu kishte nisur kur shumica e aktiviteteve sportive ndërkombëtare po anuloheshin shkaku i koronavirusit. E për shkak të situatës së rënduar me koronavirus, Task-Forca e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka bërë të ditur të martën se pjesa e mbetur e turneut kualifikues evropian nuk do të mbahet në Londër, e po ashtu nuk do të mbahet në muajin qershor, ashtu si ishte planifikuar. Task-Forca ka anuluar përfundimisht turneun kualifikues botëror të paraparë të mbahej në muajin qershor në Paris, që njëherësh ishte edhe mundësia e dytë për Sadikun për të siguruar normë olimpike.
Tani asaj i mbetet të korrë suksese në turneun e nisur vitin e kaluar, ku Donjeta fitoi meçin e parë kundër gjermanes Maya Kleinhans, ndërsa luftën e dytë e ka përballë suedezes Agnesa Lexiussion.
Në Federatën e Boksit të Kosovës (FBOXK) thonë se turneu i Londrës është vendosur të vazhdojë në Gjermani, ndërsa nga Sadiku presin suksese.
“Me anulimin e turneut të Parisit, boksierët Shpejtim Bajoku, Patriot Behrami, Besart Pireva e humbën edhe rastin e tyre të fundit, ndërsa Donjetës i mbetet vetëm turneu i nisur në Londër. Turneu do të mbahet në prill në Gjermani dhe gjasat i ka të mira për ta siguruar normën. I ka dy meçe të rëndësishme para vetes. Të parin ndaj suedezes e ka më të vështirë. Në turneun në Kroaci humbi nga suedezja 3:2, por ajo është duke u përgatitur maksimalisht. Është në kamp në Bullgari ku po marrin pjesë boksiere nga Brazili, Franca, Turqia dhe nga shtete të tjera. Nëse kalon meçin ndaj suedezes, Donjeta ka një përballje më të lehtë, sepse dy boksierët që në rast të kalimit tutje mund t’i ketë përballë, i ka mposhtur”, ka thënë zëdhënësi i FBOXK-së, Latif Demolli, të martën për KOHËN.
Turneu në mars u pezullua shkaku i masave izoluese në shumë shtete të Evropës dhe rritjes së presionit ndaj organizatorit, pas situatës së krijuar me COVID-19.
Sadiku është dashur të boksonte në 1/8 e finales kur turneu u pezullua. Ajo ka thënë se do të mundohet ta shfrytëzojë mundësinë e vetme për ta fituar një medalje, që do t’ia siguronte edhe kualifikimin për në Tokio, ku këtë verë do të mbahen Lojërat Olimpike.
“E di se çfarë kundërshtaresh do të kem përpara, por unë kam besim se do të arrij të kualifikohem”, ka theksuar boksierja prishtinase.
Sadiku e kategorisë 60 kilogramë është kthyer në ring pas rifillimit të aktiviteteve ndërkombëtare, pas ndërprerjes shkaku i pandemisë. Ka fituar medalje të argjendtë në turneun e mbajtur në tetor në Sofje të Bullgarisë. Sadiku në vjeshtën e vitit të kaluar mori pjesë në dy turne, që për të ishin të mirëseardhur.
Donjeta është bindshëm më e suksesshmja në Kosovë, derisa suksesin më të madh e ka në vitin 2016. Fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian për të reja të mbajtur në Ordu të Turqisë.
Ajo dy herë u pengua të marrë pjesë në botërorët e organizuar në Indi. India ia pamundësoi pjesëmarrjen në Botëror, një herë si juniore dhe së fundi si seniore, shkaku që nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Trajneri i Donjetës, Besim Brahimi, ka bindjen se mundësinë e vetme Donjeta do ta shfrytëzojë për kualifikim në Tokio.
“Tani e dimë se e kemi vetëm këtë mundësi dhe nuk besoj se Donjeta nuk do të kualifikohet, pasi i njohim kundërshtaret dhe kam bindjen se do të jemi me normë në Tokio”, ka thënë Brahimi.
Aktualisht Kosova e ka të konfirmuar vetëm një normë olimpike. Mundësi Egzon Shala do të jetë pjesëmarrës në Tokio, kurse xhudoja synon të shkojë me pesë norma olimpike. Pesë xhudistë janë në zonën që siguron normë.