Donjeta Sadiku brenda një periudhe të shkurtër ka marrë pjesë në dy turne. Janë edhe dy turnetë e parë të saj pas kthimit të aktiviteteve ndërkombëtare, pas ndërprerjes shkaku i pandemisë së koronavirusit. Në turneun e fundit të mbajtur javën e shkuar në Sofje të Bullgarisë, Sadiku e fitoi medaljen e argjendtë.
Për Sadikun, që synon të arrijë normë olimpike për lojërat olimpike “Tokio 2020”, që mbahen vitin e ardhshëm, ishin turne të mirëpritur.
Kualifikimin në Lojërat Olimpike, Sadiku e synon ta arrijë nëpërmjet turneut kualifikues evropian të mbetur në gjysmë, atë të Londrës.
Sadiku ka qenë në rrugë të mirë për të siguruar normën për “Tokio 2020”, por turneu në mars u pezullua shkaku i masave izoluese në shumë shtete të Evropës.
Sadiku është dashur të boksojë në 1/8 e finales. Por ajo beson se nga Londra do të kthehet me medalje, që do t’ia siguronte edhe kualifikimin për në Tokio.
“Synimi është turneu kualifikues, për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike, por ka edhe turne tjerë, në mesin e tyre edhe kampionati evropian për U22. Por, synimi mbetet turneu kualifikues”, ka thënë Sadiku.
Boksierja më e mirë në vend insiston se shtyrja e Lojërave Olimpike ka qenë e mirëseardhur për të. Ajo thotë se tash ka mundësi më të mëdha për ta fituar normën, pse jo thotë edhe medalje olimpike, që deri tash e ka të arritur vetëm sporti i xhudos.
“E kam meçin kundër gjermanes dhe tash e kam garën kundër suedezes. Kam pasur një meç kundër suedezes, javën e kaluar. Ishte barabartë, por besoj se në kualifikime do ta mposhti për ta fituar normën olimpike. E di se çfarë kundërshtare do të kem përpara, por unë kam besim në vete dhe besoj të arrij të kualifikohem e pse jo si xhudo edhe boksi të ketë medalje olimpike”, ka shtuar boksierja kosovare.
Sadiku thotë se e ka fituar përvojën edhe si seniore dhe se është gati të jetë pjesë e ekipit olimpik. Aktualisht Kosova e ka të konfirmuar vetëm një normë olimpike. Mundësi Egzon Shala do të jetë pjesëmarrës në Tokio, kurse xhudoja synon të shkojë me pesë norma olimpike.
“Para kualifikimeve kam qenë në kampin përgatitor që u mbajt në Turqi. Na ka mbështetur KOK-u. Kam edhe dhjetë ditë përgatitje ku planifikojmë të shkojmë në Bullgari dhe shpresoj që sërish të gjej mbështetje nga KOK-u. Aty do të jenë shtete të forta dhe do të jetë ndihmë e madhe për mua. Dy herë nuk kam pasur mundësi të jem pjesë e Botërorit në Indi. Mirëpo synimet nuk i kam ndalur asnjëherë. Po ndeshem me boksiere të rangut botëror”.
Sadiku është bindshëm më e suksesshmja në Kosovë, derisa suksesin më të madh e ka në vitin 2016. Fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian për të reja të mbajtur në Ordu të Turqisë.
Turneu kualifikues për Lojërat Olimpike vazhdohet në shkurt të vitit të ardhshëm.