“Ne nuk jemi mjaftueshëm të mirë”, pranoi portieri i Manchester Unitedit, David de Gea, kur u përball me faktin se “Djajtë e Kuq” do të kalojnë pesë vjet pa fituar një trofe të vetëm. Një humbje e lehtë 1:0 në shtëpi ndaj Atletico Madridit të martën mbrëma, bëri që Unitedi të eliminohej në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve, që ishte shansi i fundit i Unitedit për ta fituar një trofe në këtë sezon të mjerueshëm.
Reagimi i dëshpëruar pas vërshëllimës së fundit në njërën anë, dhe në tjetrën vrapimi i trajnerit të Atleticos, Diego Simeone, për të festuar kalimin e ekipit të tij në çerekfinale të Championsit, ishte në kontrast të plotë me përshëndetjen që publiku ia bëri Cristiano Ronaldos që u kthye në klub pas fitores 4:1 ndaj Newcastlet në shtator. Kthimi i Ronaldos në klubin ku ai u shndërrua në superyll global të futbollit, supozohej të ishte ndryshimi në përpjekjen e Unitedit për të sfiduar trofe të mëdhenj.
Pasi përfundoi në vendin e dytë pas Manchester Cityt në Premier League sezonin e kaluar, Jadon Sancho dhe Raphael Varane tashmë ishin nënshkruar për më shumë se 120 milionë euro në kohën kur Ronaldo refuzoi ofertën e Cityt pas negociatave që i kishin pasur në ditët e fundit të gushtit për t’u rikthyer në “Old Trafford”. Në vend të një rikthimi të ditëve të lavdisë që Ronaldo i përjetoi nën Alex Fergusonit para transferimit rekord te Real Madridi në vitin 2009, portugezi i është dorëzuar rrëshqitjes që Unitedi ka pasur që kur Ferguson u largua si trajner në vitin 2013.
Trajneri i përkohshëm, Ralf Rangnick, është trajneri i pestë i Unitedit që kur skocezi legjendar u largua me klubin që dikur mburrej se ishte më i miri në botë, i cili tani është lënë pas nga rivalët vendës, Manchester City e Liverpooli. Që kur Ferguson udhëhoqi Unitedin në finalen e tretë të Ligës së Kampionëve brenda katër sezonesh në vitin 2011, klubi ka shpenzuar 1.5 miliardë euro për lojtarë dhe nuk ka arritur më shumë se dy fitore në fazën e eliminimit direkt të garës më elitare të Evropës. Për të pestin vit radhazi sezoni evropian i Unitedit u përfundua nga një kundërshtar spanjoll.
Mirëpo ky version i Atleticos është shumë larg prej ekipit që arriti në dy finale brenda tre sezonesh mes vitit 2014 dhe 2016, përpara se të mposhtet nga Real Madridi i Ronaldos. Ngjashëm si Unitedi, edhe Atletico i Simeones u përball me një betejë të ashpër muajit e fundit të sezonit aktual të La Ligas për të siguruar një vend që garanton pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm. Megjithatë, Atletico mbeti në garë dhe u kualifikua në çerekfinale të këtij edicioni, falë golit të Renan Lodit në fund të pjesës së parë. Ekipi spanjoll avancoi tutje me rezultatin e përgjithshëm 2:1, pasi ndeshja e parë në Madrid ishte mbyllur pa fitues – 1:1.
“Ne ishim plotësisht të vetëdijshëm se kundër një ekipi si Atletico duhej të shënonim gol të parët. Tani na pret një periudhë e vështirë deri në muajin maj, për shkak se duhet të sigurojmë një vend për të luajtur në Champions edhe sezonin tjetër”, ka pranuar Rangnick.
Edhe
Një dekadë më vonë, Unitedi ende punon nën hijen e Fergusonit
Ronaldo kishte qenë vazhdimisht kërcënimi më i madh i Atleticos në Ligën e Kampionëve në vitet e fundit - duke shënuar gjithashtu “hat-trick” për t'i eliminuar për Realin në vitin 2017 dhe Juventusin në këtë fazë në vitin 2019. Megjithatë, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Championsit, tani është përkulur në 1/8 e finales në tre sezonet e fundit.
Para Unitedit, Ronaldo në këtë fazë është eliminuar edhe me Juventusin. 37-vjeçari më në fund ka filluar të tregojë moshën e tij në muajt e fundit dhe për herë të parë në karrierë ka luajtur 90 minuta në Ligën e Kampionëve pa e regjistruar asnjë gjuajtje në portë. Nëse Ronaldo do të qëndrojë për vitin e dytë të kontratës së tij me Unitedin, do të varet shumë nga renditja e klubit në Premier League në fund të këtij sezoni.
Unitedi përballet me një rindërtim tjetër të shtrenjtë dhe të gjerë nën një trajner të ri. Aktualisht Unitedi është në pozitën e pestë në tabelë dhe synimi i tij është që këtë edicion ta mbyllë të paktën në vendin e katërt për të garantuar Championsin dhe qëndrimin e portugezit Ronaldo në “Old Trafford” edhe për sezonin e ardhshëm.