Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

De Gea: Jemi shumë të dëshpëruar

Portieri i Manchester Unitedit, David de Gea ka vlerësuar se skuadra e tij nuk ka bërë mjaftueshëm për ta eliminuar Atletico Madridin nga Liga e Kampionëve. Unitedi u ndal në një të tetën e finales nga kampioni spanjoll.

“Ne jemi vërtetë të dëshpëruar me rezultatin. Është vështirë të flasësh për atë se si ndihemi këtë moment. Nuk kemi bërë mjaftueshëm në dy ndeshjet për të fituar. Është ditë shumë dëshpëruese për ne. Atletico është ekip me shumë përvojë. Është ekip që di si të luaj këto ndeshje në Champions. Atletico shënoi gol dhe kur shënon bëhet ekip i vështirë për të mposhtur. Ishte e vështirë për ne që të krijonim raste. Jemi jashtë njërës prej garave më të rëndësishëm kështu që jemi të pikëlluar”, ka thënë De Gea.

Ai e ka vlerësuar të drejtë koncentrimin e Atleticos në mbrojtje pas epërsisë 1:0.

“Natyrisht. Pasi shënuan golin të gjithë u vendosën para Jan Oblakut. Është ekip shumë defenziv dhe është vështirë të shënosh gol ndaj tij. U munduam deri në fund por nuk ishte e mjaftueshme”, ka shtuar De Gea.

Ai ka folur edhe për mungesën e trofeve për pesë vjet.

“Nuk është mirë mjaftueshëm. Është e vështirë për klubin, por ne dhe për tifozët. Është vërtetë vështirë. Këtu jemi këtë moment. Është situatë e vështirë. Duhet të vazhdojmë të luftojmë. Po ndihem shumë keq. Por nuk ishim mjaftueshëm të mirë”, ka theksuar portieri i Unitedit.