Eliminimi në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve nuk është kurrë i mirë për sigurinë e punës të një trajneri në klubet kryesore të Evropës. Chelsea dhe Paris Saint-Germaini kanë fituar reputacionin e klubeve që djegin trajnerë kryesorë, duke përfshirë Carlo Ancelottin dhe Thomas Tuchelin. Kjo mund të përsëritet këtë edicion.
Graham Potter ka qenë në krye të Chelseat për vetëm gjashtë muaj, kurse është nën presion për vizitën e Borussia Dortmundit në “Stamford Bridge”, të martën mbrëma.
“Rezultatet nuk janë mjaftueshëm të mira për një klub si Chelsea dhe për këtë unë e marr përgjegjësinë e plotë. Sigurisht se nëse rezultatet nuk janë të mira, atëherë nuk mund të mbështetesh gjithmonë në përkrahjen e drejtuesve. Pra, puna e trajnerit është gjithmonë në presion kur nuk ka rezultate, por më duhet të vazhdoj dhe të mundohem të bëj më të mirën”, ka thënë Potter ditë më parë. Ai në krye të Chelseat e zëvendësoi Thuchelin e shkarkuar.
Christophe Galtier po udhëheq në kampionatin francez në sezonin e tij të parë në krye të PSG-së, por eliminimi nga Bayern Munich të mërkurën në Gjermani, mund ta rrezikojë punën e tij. Galtier është trajneri i shtatë në më pak se 12 vjet prejse Parisi është në pronësi të Katarit. Edhe para ardhjes së pronarëve të rinj, asnjë trajner nuk qëndroi katër edicione të plota te Parisi, klub që ka pasur 31 trajnerë të ndryshëm në historinë 53-vjeçare.
“Sigurisht që synimi kryesor i ekipit këtë edicion është Championsi. Do të shohim se si do të shkojnë gjërat”, ka thënë shkurt Galtier.
Pasiguria e punës nuk është e pazakontë në elitën evropiane dhe tetë trajnerët, skuadrat e të cilëve janë në aksionin e Championsit këtë javë, kanë një kohë shërbimi më pak se 10 vjet. Kjo është më pak se 11 vjetët e argjentinasit Diego Simeone si trajner i Atlético Madridit gjatë një epoke të qëndrueshme që përfshin dy tituj të La Ligas, dy finale të Ligës së Kampionëve – të dyja të humbura nga Real Madridi – dhe dy trofe të Ligës së Evropës.
Kthimi i shpejtë në kampionat po funksionon këtë sezon për Benfican, që është ekipi më i favorizuar për të avancuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Benfica e ka fituar ndeshjen e parë në udhëtim 2:0 ndaj Brugget dhe pritet që të kualifikohet në mesin e tetë ekipeve më të mira të Evropës. Trajneri Roger Schmidt është në sezonin e tij të parë te Benfica, si trajneri i pestë i përhershëm ose i përkohshëm që nga fillimi i vitit 2019.
Milani që ka avantazh 1:0 përballet të mërkurën në Londër me Tottenhamin, në ndeshjen e vetme të kësaj jave mes skuadrave që mbajtën të njëjtin trajner që kishin edicionin e kaluar, Stefano Piolin dhe Antonio Conten. Megjithatë, eliminimi nga Championsi mund t’i kushtojë Contes me shkarkim të parakohshëm pasi Tottenhami përfundimisht do të mbetej pa trofe këtë edicion.