Plot 18 ndeshje të Ligës së Kampionëve zhvillohen të mërkurën prej orës 21:00. Është xhiroja e fundit e fazës së ligës dhe të gjitha ndeshjet luhen në termin të njëjtë. Kjo për faktin se gara është e hapur për shumë pozita dhe pasi shumica e ndeshjeve kanë rëndësi të madhe.
Arsenali e Bayern Muncheni janë ekipet e vetme që e kanë siguruar kualifikimin direkt në një të tetën e finales. Arsenali i ka fituar të gjitha shtatë ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në tabelë me 21 pikë. Bayerni është i dyti me 18 pikë dhe do të luajë në një të tetën e finales pavarësisht rezultatit në ndeshjen e fundit.
Aktualisht në zonën që siguron kualifikimin në një të tetën e finales janë edhe Real Madridi e Liverpooli që i kanë nga 15 pikë, Tottenhami me 14 pikë dhe PSG-ja, Newcastle Unitedi dhe Chelsea që i kanë nga 13 pikë.
Pas tetë xhirove në fazën e ligës, tetë skuadrat e para në tabelë avancojnë direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej vendit të nëntë e deri në vendin e 24-t avancojnë në plejofin e fazës nokaut. Ndërkohë skuadrat nga vendi i 25-të e deri në vendin e 36-të eliminohen.
Një xhiro para fundit, skuadrat e vetme pa gjasa për avancim janë Eintracht Frankfurti, Slavia Praga, Villarreali dhe Kairati. Të gjitha skuadrat e tjera janë në garë.
Aktualisht kampioni i Italisë, Napoli, është jashtë zonës që dërgon në plejof. Është në vendin e 25-të me tetë pikë. Napoli ka ndeshje shumë të vështirë në shtëpi me Chelsean.
Londinezët kërkojnë po ashtu fitoren për të mbetur në tetëshen e parë në tabelë.
“E njoh Chelsean shumë mirë. I di ambiciet e këtij klubi. Është fitues i Botërorit të klubeve. Duhet të japim çdo gjë. Nuk mund të nënçmojmë kundërshtarin. E dimë se çka do të thotë të luajmë në stadiumin tonë. Do të jetë kënaqësi të shohim tifozërinë e kaltër duke na mbështetur”, ka thënë trajneri i Napolit, Antonio Conte.
Ai përballet me lëndime të shumta të lojtarëve. Ndër të tjera mungon edhe mbrojtësi i qendrës, Amir Rrahmani.
Fituesi në fuqi i Championsit, Paris Saint-Germaini, e pret Newcastlen. Është kjo tjetër ndeshje me peshë të madhe. Asnjëra prej këtyre skuadrave nuk e ka siguruar ende vendin në një të tetën e finales. Pos Parisit, Newcastlet dhe Chelseat, nga 13 pikë i kanë edhe Barcelona, Sportingu, Manchester City, Atletico Madridi dhe Atalanta, që aktualisht janë në zonën që siguron plejofin.
“Është një garë shumë e rëndësishme për ne, për klubin dhe tifozët. Synimi ynë është të kualifikohemi në një të tetën e finales duke e mposhtur skuadrën shumë të mirë të Newcastlet. Newcastle ka stil krejt tjetër. Lojtarët e kësaj skuadre janë trima dhe të fortë, me shumë kualitet individual. E njohim këtë skuadër pasi kemi luajtur kundër saj në vitet e kaluara. Do të jetë vërtetë vështirë”, ka thënë trajneri i PSG-së, Luis Enrique.
Borussia Dortmund – Inter është tjetër ndeshje interesante. Dortmundi është në vendin e 16-të me 11 pikë, por ende ka gjasa për kualifikim direkt në një të tetën e finales. Interi ka rënë në vendin e 14-të pas tri humbjeve rresht. I ka 12 pikë falë fitoreve në katër ndeshjet e para.
Real Madridin e pret udhëtim i vështirë te Benfica në Portugali.
Benfica e Jose Mourinhos është në vendin e 29-të me gjashtë pikë, por me gjasa për avancim në plejof. Megjithatë për këtë i duhet fitorja ndaj madrilenëve.
“Madridi ka top-lojtarë. Ata kanë nivel aq të lartë sa që nëse nuk shënojmë, do të na ndëshkojnë. Ata presin gabimin tuaj dhe të ndëshkojnë menjëherë”, ka thënë Mourinho.