Futboll

Vazhdon Championsi, Inter - Arsenal derbi i së martës

Vazhdon Championsi, Inter  - Arsenal derbi i së martës

Më 9 e 10 dhjetor është luajtur xhiroja e gjashtë e Ligës së Kampionëve. Dhe xhiroja e shtatë e fazës së ligës së Championsit zhvillohet këtë javë. 

Ndeshjet janë të martën e të mërkurën.

Sa u takon ndeshjeve të së martës, vëmendja do të jetë te ajo Inter – Arsenal.

Interi është lider në Serie A me 49 pikë. Arsenali është lider në Premier League me 50 pikë. Pra përballen liderët e dy prej kampionateve kryesore evropiane të futbollit.

Ndeshja mes Interit dhe Arsenalit zhvillohet të martën nga ora 21:00.

Skuadra e Mikel Artetas, Arsenali, është në vendin e parë edhe në Champions. Ka fituar gjashtë ndeshjet e deritashme dhe udhëheqë me 18 pikë. Interi po ashtu është lart në tabelë – në vendin e gjashtë me 12 pikë.

Interi ishte finalist edicionin e kaluar në Champions, ndërsa po kalon moment të mirë. Në fundjavë fitoi 1:0 ndaj Udineses. 

“Përballemi me një prej ekipeve më të mira në Evropë. Arsenali ka investuar, ka identitet dhe po përmirësohet vazhdimisht. Arsenali dhe Bayerni janë ekipet më të forta në Evropë momentalisht. Por jam i vetëdijshëm edhe për atë se kush jemi ne. Ne nuk do të fillojmë të ndihemi të mposhtur. Do të jemi versioni më i mirë i vetvetes”, ka thënë trajneri i Interit, Christian Chivu.

Ai ka thënë se Interit nuk do t’i mungojë përkushtimi, dëshira për të fituar topin dhe për të rrezikuar.  Chivu foli edhe për trajnerin e Arsenalit, Mikel Arteta.

“Ai është pasionant dhe po dëshmon që është i fortë. Solli shumë ambicie në klubin me histori. Por ka gjithnjë për të mësuar në futboll”.

Arsenali është shkëputur në shtatë pikë me përcjellësit e parë në Premier League, Manchester City dhe Aston Villa. Derisa titulli i Anglisë mbetet prioritet, “topçinjtë” kanë pretendime edhe në skenën evropiane. Ecuria e deritashme dëshmon që Arsenali është prej pretendentëve kryesorë për titull në Champions.

Arteta është ankuar në orarin e ngjeshur, por ka thënë se synimi në Itali është fitorja.

Të martën mbrëma ka edhe të tjera ndeshje që priten me shumë interesim.

Kampionin në fuqi, Paris Saint-Germainin e pret ndeshje e vështirë në Portugali. PSG-ja përballet me Sportingun.

PSG-ja është në vendin e tretë me 13 pikë. Sportingu është në vendin e 14-të me 10 pikë.

Real Madridi do të sfidohet nga Monaco në “Santiago Bernabeu”, ndërsa do të bëjë tjetër përpjekje për të kaluar krizën. Ndarja me trajnerin Xabi Alonso pas dështimit në Superkupë, u pasua me humbje të rëndë në Kupë të Mbretit. Por në ndeshjen e fundit kampionale Madridi reagoi duke shënuar fitore. Real Madridi është i shtati me 12 pikë, ndërsa Monaco e mban vendin e 19-të me nëntë pikë.

Tottenham – Dortmund, Villarreal – Ajax, Olympiacos – Bayer Leverkusen dhe Copenhagen – Napoli janë ndeshjet tjera të orës 21:00.

Nga ora 16:30 është ndeshja mes Kairat Almatyt dhe Club Brugge, kurse Bodo/Glimt e pret Manchester Cityn nga ora 18:45.

Në fazën e Ligës në Champions janë 36 skuadrave. Pas tetë xhirove, tetë skuadrat me më së shumti pikë avancojnë direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej vendit të nëntë e deri në vendin e 24-t avancojnë në plejofin e fazës nokaut. Ndërkohë skuadrat prej pozitës së 25-të e deri në pozitën e 36-të, eliminohen.

Ndeshjet e xhiros së tetë zhvillohen më 28 janar.