Elena Sadiku ka shkruar histori duke u bërë trajnerja e parë në skuadrën e futbollisteve të klubit të famshëm skocez, Celtic. Kosovarja 30-vjeçare të hënën e kishte ditën e parë të punës te Celticu. Ajo ka punuar si trajnere futbolli në vende si Suedia, Kina e Danimarka, ndërsa tani kërkon suksesin me Celticun.
“Është ndjenjë e mahnitshme që kam marrë drejtimin e ekipit të futbollisteve. Jam e entuziazmuar që i bashkohem këtij klubi të madh, këtij klubi të mahnitshëm”, ka thënë Sadiku për sajtin zyrtar të Celticut.
Elena Sadiku tashmë ka përvojë prej shtatë vjetësh si trajnere. Nisi herët karrierën si trajnere për shkak të lëndimeve që kishte gjatë karrierës si futbolliste. Ajo ka luajtur për klube të mëdha në Suedi, por lëndimet e shumta ia lanë ëndrrat në gjysmë. I kishte 13 lëndime në njërin gju. Punën e trajneres e ka mësuar duke punuar me emra të mëdhenj të futbollit të femrave, duke përfshirë Jonas Eidevallin, trajnerin aktual të Arsenalit.
“Celticu mund të bëjë gjëra të mëdha në futbollin e femrave. Jam shumë e lumtur që jam në këtë projekt dhe që mund të ndihmoj në zhvillimin e mëtejmë. Kështu që jam shumë e lumtur që kam filluar”, ka shtuar Sadiku.
Elena me Celticun ka firmosur për dy vjet e gjysmë. Sadiku së fundi në ekipin e të rejave të Evertonit në Angli.