Elena Sadiku është kthyer në elitën e futbollit të Suedisë për futbolliste dhe në edicionin e ardhshëm do të jetë trajnere e Hackenit.
Pavarësisht interesimit të disa skuadrave të tjera, ajo ka vendosur shpejtë për Hackenin në elitën suedeze.
“Ka pasur interesime të disa klubeve, por kur Hackeni më kontaktoi, vendosa shpejtë”, ka deklaruar Sadiku për “SVT Sport” të premten.
32-vjeçarja së fundmi ishte trajnere te Celticu në Skoci dhe ka pasur dy edicione shumë të suksesshme.
“Ka qenë proces shumë i shpejtë. E zgjodha Hackenin sepse e ndieja çka është më e mira për mua dhe zhvillimin tim. I kemi të njëjtat ambicie”, është shprehur ajo.
Sadiku me Celticun shkroi historinë te futbollistet duke e fituar titullin e parë të klubit në Skoci, por edhe e udhëhoqi ekipin në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.
Si trajnere e Celticut, Sadiku ishte e nominuar edhe për çmimin “The Best” që jepet nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit, për më të mirët e vitit në futboll.
Kosovarja Sadiku kishte karrierë premtuese edhe si futbolliste, por pati lëndime dhe operime të shumta. Për këtë arsye, ajo i dha fund shumë herët karrierës si lojtare. Kishte plot 13 operime dhe u tërhoq në moshën 23-vjeçare. Ka luajtur për Malmon, Kristianstadin, Eskilstunan dhe Hammarbyn në Suedi, ndërsa me U19 të Suedisë i kishte 14 ndeshje e dy gola të shënuar.
Profesionin e trajneres e ka nisur në vitin 2018.