Pingpongistët e Kosovës humbën 3:0 nga Norvegjia. Me rezultat të njëjtë humbën edhe nga Bullgaria e më pas edhe nga Letonia dhe Islanda. Pra, i humbën të gjitha katër duelet me rezultat maksimal, 3:0.
Rrjedhimisht Kosova mbeti e fundit (5) në grupin B të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin ekipor Evropian të vitit 2023.
Humbjet e tilla nuk janë diçka e re për pingpongistët kosovarë, përkatësisht për përfaqësuesen e Kosovës në pingpong (meshkujt). Ngjashëm ndodh edhe në sportet e tjera.
Por humbjet me rezultat maksimal duket se nuk janë shumë brengosëse për Federatën e Pingpongut të Kosovës. Të paktën njoftimi i saj lë që kjo të kuptohet.
“Përfaqësim i mirë i përfaqësueses së Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Evropian”, thuhet në njoftimin e FPPK-së për aktivitetin e fundit ndërkombëtar.
Pingpongistët kanë garuar në Bullgari prej 31 marsit deri më 2 prill. Kreshnik Mahmuti, Fatih Karabaxhaku, Blendi Hajdari ishin garuesit e Kosovës.
“Djelmoshat tanë përkundër rezultateve patën paraqitje solide dhe shpresëdhënëse, duke theksuar se në ekipin e seniorëve të paraqitur ishin dy juniorët tanë më të mirë, Fatih Karabaxhaku dhe Blend Hajdari. Padyshim se kjo përvojë do të ndikojë në ngritjen e tyre në vitet në vijim”, thuhet tutje në njoftim.
Ndaj Bullgarisë, një set e fitoi Kreshnik Mahmuti, që humbi 3:1. Karabaxhaku e Hajdari humbën 3:0, ndonëse i pari të tre setet i humbi 11:9. Me Norvegjinë nuk u fitua asnjë set. Me Islandën të tre e fituan nga një set, duke humbur 3:1. Humbjet më të thella ishin me Letoninë, të gjitha 3:0 në sete.
E fundit u rendit edhe përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencë të pingpongisteve. Ajo luajti në Bosnjë-Hercegovinë. Pingpongistet i humbën të gjitha katër përballjet, por i kishin tri fitore individuale. Ndaj Izraelit, Kosova (femrat) humbi 3:0. Me Bosnjë-Hercegovinën humbi me rezultat të njëjtë, 3:0. Ndaj Malit të Zi, Kosova e shënoi një fitore, duke humbur 3:1. Ndërsa me Qipron dy fitoret nuk mjaftuan. Dueli u humb 3:2.
Shega Hashani shënoi një fitore ndaj Malit të Zi, kurse ndaj Qipros pos Hashanit një fitore e kishte edhe Alma Mehmeti. Ka pasur më shumë seta të fituar nga pingpongistet, por jo edhe fitore të dueleve të përfaqësueseve. Linda Zeqiri ishte po ashtu pjesë e përfaqësueses.
Në fazën e parë kualifikuese nuk paraqiten përfaqësueset e forta evropiane.
“Vajzat patën paraqitje shumë të mira dhe në momente të caktuara u mungoi vetëm fati për të shënuar fitore, sikurse në ndeshjen kundër Qipros ku ishin katër ‘match-point’ që ndeshja të përfundonte në favor të Kosovës. Vlen të përmendet mosha e re e ekipit të senioreve, ku pjesë e këtij ekipi ishte Shega Hashani, e cila ende është në kategorinë U17. Kjo nënkupton që ishte një ekip me moshë shumë të re dhe me perspektivë për rezultate në të ardhmen”, ka njoftuar Federata e Pingpongut e Kosovës.
Pingpongistët kosovarë për gati dy dekada janë pjesë e aktiviteteve ndërkombëtare. Në to paraqiten rregullisht. Por ecja para thuajse nuk ka ekzistuar, me gjithë faktin se FPPK-ja është pranuar dukshëm para federatave të tjera në asociacionet ndërkombëtare sportive. Edhe investimet në pingpong janë minimale.