Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll tri vjet më parë shkroi histori. U kualifikua në “Euro 2020”. Njërën prej pengesave kryesore që Maqedonia e Veriut e kaloi për të siguruar Evropianin ishte Kosova. Maqedonia e Veriut e pati mposhtur Kosovën në gjysmëfinale të plejofit të Ligës së Kombeve.
Rol të rëndësishëm në suksesin e Maqedonisë së Veriut kishte edhe qendërmbrojtësi, Egzon Bejtullai.
Bejtullai të shtunën debutoi në futbollin e Kosovës. Ai iu bashkua javën e kaluar Gjilanit, ndërsa paraqitjen e parë e bëri kundër Fushë Kosovës, në kuadër të xhiros së dhjetë të Superligës. Gjilani fitoi 1:0, ndërsa Bejtullai luajti 90 minuta.
Mbrojtësi 29-vjeçar thotë se në Kosovë ka ardhur për ta sfiduar veten.
“Normalisht, çdo futbollist ka sfida. Prandaj thonë që futbolli është i bukur. Mirëpo futbolli ka sfida që duhet t’i pranojmë dhe duhet t’i përkushtohemi me punë profesionale. Normalisht që pas punës vjen edhe suksesi. Në Maqedoni është një kampionat i mirë të themi, pasi nuk e di tash. Nëse më thonë se këtu në Kosovë luhet pak më shumë fizikisht, atje luhet edhe pak më shumë teknikisht. Mirëpo, lojtarët e mirë gjithmonë kërkojnë sfida të reja, të forta, prandaj jemi këtu, në Gjilan”, ka thënë Bejtullai disa ditë para debutimit me Gjilanin.
Bejtullai ka fituar gjithçka që mund të fitohet në futbollin e Maqedonisë së Veriut me Shkëndijen e Tetovës. Ai për një periudhë të shkurtër luajti edhe për Helsingborgun në Suedi, ndërsa është paraqitur edhe për Teteksin. Pret t’i ndihmojë Gjilanit të arrijë synimet që ka për edicionin 2023/2024.
“Me Gjilanin jemi në kontakt tash e një muaj. Më ka lajmëruar Sallah Sherifi, më ka lajmëruar trajneri, Gjilani gjithë këtu. Dhe kemi biseduar gjatë kohë dhe ja që paska pasur edhe ajo një gjë pozitive që të jem sot këtu pas asaj bisede, duke e ditur se Gjilani çfarë qyteti është, çfarë tifozë të flaktë ka dhe mendoj se është një klub shumë i madh. Besoj që me atë profesionalizmin tim dhe karrierën që e kam, t’i ndihmojë kësaj skuadre. I kam ndjekur ndeshjet e Gjilanit, është skuadër e mirë që luan futboll. Me aq sa kam mundësi dua t’i ndihmoj”, ka theksuar Bejtullai.
Ai mezi pret të paraqitet në derbin e qytetit të Gjilanit kundër Dritës.
“Jo, nuk e kam parë. Mirëpo nga ato që thonë njerëzit, tregojnë këtu edhe shokët dhe njerëzit që i kam dëgjuar, Drita me Gjilanin është një derbi i Kosovës. Normalisht për ne futbollistët është shumë e mirë pasi ne çdo herë kërkojmë të ketë derbi dhe mendoj që një ditë ta shijoj edhe unë”, ka theksuar mbrojtësi me përvojë.
Bejtullai pret t’i tregojë vlerat në kampionatin e Kosovës për të marrë ftesë nga Maqedonia e Veriut sërish. Ai për Maqedoninë e Veriut ka luajtur 26 ndeshje. Ishte edhe në Euro 2020, ku regjistroi një paraqitje.
“Normalisht sepse çdo futbollist punon që të arrijë sukseset më të mëdha. Unë e përjetova atë ëndërr që të jem në Evropian. Shumë sakrifica, shumë punë, shumë stres, shumë lodhje. Mirëpo, arritëm atje dhe e shijova dhe besoj dhe mendoj se çdo futbollist ka dëshirë të jetë atje sepse është me të vërtetë një gjë e mirë, pasi jo çdo kush mund të shkojë atje, tek Evropiani”, është shprehur lojtari nga Tetova.
Bejtullai ka shpresë që nga Kosova të vazhdojë karrierën në ndonjë klub të Evropës.
“Normalisht që çdo futbollist ka synime për të arritur në Evropë, për të luajtur në liga edhe më të forta. Mirëpo, unë jam këtu për momentin. Dhe përderisa jam këtu nuk mendoj që të shkoj diku tjetër. Definitivisht, jam kështu me mendje, me trup, jam që i përkushtohem punës dhe me profesionalizëm do ta bëj atë”, ka thënë Bejtullai.
I lumtur që ka në skuadër Bejtullain është edhe trajneri Gentjan Mezani.
Krahas Bejtullait, Gjilani së fundi është përforcuar me Betim Halimin, Besir Demirin, Dajan Shehin, Melos Bajramin, Donaldo Açkajn, Elvedin Heriçin, Kushtrim Shabanin, Omer Shemshijin, Qëndrim Ismajlin, Valmir Nafiun, Edi Basan e Nashko Milevin.