Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Egbo synon trofe edhe me Prishtinën

Tre vjet më parë, Emmanuel Egbo fitoi titullin me klubin nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tiranën. Trajneri 50-vjeçar nga Nigeria synon të fitojë trofe edhe me klubin e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinën. Por pranon se arritja e synimeve të Prishtinës për të fituar trofe do të jetë e vështirë pa angazhimin e të gjithëve në klub. Egbo, të enjten u zyrtarizua trajner i Prishtinës, pak orë pasi klubi njoftoi për largimin e Debatik Currit.

Egbo ka thënë se Prishtina është klub i madh në Kosovë. Ai pranon se drejtimi i Prishtinës do të jetë sfidë për të. Por ka besim se mund t’ia dalë të realizojë synimet që ka klubi “bardhekaltër”.

“Nga afër nuk e njoh ekipin, por kam ndjekur skuadrën edhe në të kaluarën, por edhe tash së fundi nga pamjet televizive në Shqipëri, por edhe nga videondeshjet. Por objektivat janë të qarta. Arritja më e paktë është Evropa, pse jo edhe më lart, por kjo mund të arrihet vetëm të bashkuar me të gjithë punëtorët e klubit deri te futbollisti më kryesor i skuadrës”, ka thënë Egbo për faqen zyrtare të klubit Prishtina.

Prishtina e fitoi titullin e fundit në edicionin 2020/2021. Gjithsej ka fituar 11 që prej vitit 1991. Prishtina është fituese në fuqi e Kupës së Kosovës, të cilën e fitoi nën drejtimin e Debatik Currit. Me shumë gjasë, triumfi në Kupë do të jetë edhe objektivi kryesor i klubit.

Egbo së fundi ishte ndihmës te klubi i Shqipërisë, Albanët, ndërsa ka drejtuar edhe ekipin saudit, Ohod.

“E njoh Prishtinën, është klubi më i madh në Kosovë, nuk diskutohet me trofetë që ka fituar dhe me shumë ngjarjet që ka bërë me futbollin e Kosovës. Nuk ishte shumë e vështirë të pranoja ofertën. Pas shpjegimit të planeve dhe objektivave që ka klubi dhe duke qenë tip që i dua sfidat, duke qenë se kam punuar edhe te Tirana, si kulmi i futbollit në Shqipëri, e di që çfarë presioni kanë klubet si Prishtina dhe nuk e pata të vështirë të pranoja punën. Do të jetë ide e mirë të bashkëpunoj me klubin”, ka theksuar ai.

Egbos do t’i ndihmojë nga afër edhe trajneri nga Shqipëria, Eldiano Topi. Egbo ka qenë portier i shumë skuadrave, ndër to edhe Tirana e Bylisi. Më vonë ka punuar te të dyja skuadrat edhe trajner i portierëve. Si trajner i parë te Tirana u emërua në edicionin 2019/2020, edicion të cilin e mbylli me titull të kampionit të Shqipërisë.

Drejtori sportiv i Prishtinës, Driton Krasniqi, ka besim se Egbo do t’i realizojë synimet e klubit bardhekaltër.

“E falënderojmë trajnerin Curri për punën që ka bërë në ekip. Normalisht, Prishtina gjithmonë kërkon rezultate dhe rezultatet ishin arsyet që u deshtë të ndanim punët me Currin. Normalisht nuk mund të themi që ishte vetëm faji i Currit, por vendimi gjithmonë vendimi bie te trajneri, ky është ligj në futboll. Gjithashtu i uroj mirëseardhje trajnerit të ri, Egbo, me të cilën mendoj se do të bëjë më të mirën që ekipi të arrijë më të mirën për objektivat që kemi. Ekipi është i panjohur për të, por i duhet pak kohë e shkurtër derisa të arrijë të njohë stafin, lojtarët dhe besoj se do të arrijë të përmbushë objektivat e klubit”, ka thënë Krasniqi.

Prishtina është në vendin e katërt me 13 pikë nga dhjetë ndeshje. Është dhjetë pikë prapa kampionit të Kosovës, Ballkanit, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Në fakt, Prishtina nuk di për fitore në shtatë ndeshjet e fundit kampionale, ku ka regjistruar gjashtë barazime dhe një humbje. Egbo në krye të Prishtinës pritet të debutojë të shtunën në ndeshjen kundër Gjilanit. Kjo përballje luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” prej orës 13:00 dhe i takon xhiros së 11-të në elitën e futbollit kosovar.

Artikuj të ngjashëm