Sport

E pabesueshme, Ballkani ende nuk e di ku do ta luajë ndeshjen e Championsit

Një inspektor i UEFA-s lëvizte nëpër fushë të stadiumit “Fadil Vokrri” të enjten. Ai po inspektonte gjendjen e fushës në stadiumin e vetëm në vend që plotëson kushtet për ndeshje të kupave evropiane. Është fusha ku në vitet e fundit skuadrat kosovare i kanë luajtur të gjitha ndeshjet evropiane.

Kampioni i Kosovës, Ballkani, duhet të luajë në “Fadil Vokrri” të martën e ardhshme, në kuadër të rrethit të parë kualifikues të Championsit. Por, një skenar i tillë është vetëm për kushte normale.

Prania në fushë e inspektorit të UEFA-s të enjten dëshmon që situata është larg prej asaj që duhet të jetë. Dhe Ballkani ende nuk e ka të sigurt se do të luajë në “Fadil Vokrri” ndaj kampionit të Bullgarisë, Ludogoretsit.

I dërguari i UEFA-s kryente punën e tij me ndihmën e një pajisjeje të vogël. Nga jashtë gjendja e fushës në disa pjesë nuk dukej e mirë. Por, nuk ka ende një qëndrim zyrtar nëse fusha në “Fadil Vokrri” i plotëson kushtet për ndeshje evropiane. Ndërkohë deri te ndeshja e Ballkanit kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë.

Pa një përgjigje të prerë Ballkani është i bllokuar. Nuk po mund të nxjerrë në shitje biletat dhe nuk po mund të vazhdojë me përgatitje.

Burime të KOHËS kanë thënë se vendimi nëse ndeshja do të mund të luhet në “Fadil Vokrri” pritet të merret të premten paradite. Nëse fusha e stadiumit në Prishtinë nuk është gati, atëherë opsion është stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Ai është i kategorisë së parë, por UEFA mund të detyrohet ta pranojë për ndeshje kualifikuese të Championsit dhe të Ligës së Konferencës. Për ndeshje të këtyre dy garave stadiumi duhet të jetë i kategorisë së katërt.

Për situatën kaotike Federata e Futbollit e Kosovës ka zgjedhur të heshtë.

Javën e ardhshme ndeshje evropiane si vendas luan edhe Dukagjini i Klinës. Dukagjini duhet të luajë të enjten në “Fadil Vokrri”.

Kryetari i klubit Ballkani, Arsim Kabashi, ka thënë se nuk ka informatë nga FFK-ja se ku do t’i zhvillojnë ndeshjet. Ai pret që shpejt të marrin një përgjigje për të nisur përgatitjet.

Te Ballkani kanë thënë se në mungesë të informatës se ku do ta zhvillojnë ndeshjen nuk mund të procedojnë me shitje të biletave.

Ballkani të mërkurën doli me një komunikatë e me një tjetër të enjten. Tani suharekasit e vënë në dyshim zhvillimin e ndeshjes me Ludogoretsin.

“Ne si klub kemi arritur të shkruajmë histori ndërkombëtare, duke u futur në mesin e skuadrave që luajnë në nivele të larta evropiane. Kurse sot pa kaluar një vit i plotë, ne të njëjtit me të cilët u krenuan të gjithë, nuk kemi informacion se ku do ta zhvillojmë ndeshjen eliminatore të UEFA Champions League, ose mbase një pyetje tjetër, a do ta zhvillojmë fare?”, shkruan në postimin e Ballkanit. Klubi kampion e cilëson të turpshme situatën që është krijuar me fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”.

“Kosova ka nevojë për infrastrukturë, lojtarët tanë kanë nevojë për qetësi para këtyre dueleve të mëdha, jo stres e turp karshi homologëve të tyre nëpër skuadra evropiane. Po, është e turpshme kjo që po ndodh, për çdo keqardhje!”.

Për Ballkanin është hera e dytë që merr pjesë në garat evropiane. Në ndeshjet e shumta që i zhvilloi, fillimisht në kualifikimet e Ligës së Kampionëve e më pas në Ligën e Konferencës, Ballkani u përcoll nga numër i madh shikuesish në Prishtinë. Tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” ishin të mbushura sidomos në ndeshjet në Ligën e Konferencës.

Ballkani shkroi histori duke u bërë skuadra e parë e Kosovës që siguroi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të një gare të UEFA-s. Liga e Konferencës është gara e tretë për nga rëndësia e organizuar nga UEFA.

Humbjet do të ishin të mëdha nëse Ballkani dhe Dukagjini nuk do të mund t’i zhvillonin ndeshjet si vendas në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ka dyshime të mëdha nëse fusha e stadiumit në Prishtinë plotëson kushtet minimale për ndeshje evropiane. Ajo u dëmtua rëndë nga reshjet gjatë ndeshjes së fundit të Kosovës. Por, ka dyshime nëse mirëmbajtja e fushës është e duhur për kohë më të gjatë.

Për gjendjen e fushës pati kritika të shumta. Federata e Futbollit e Kosovës vendosi t’i largonte mirëmbajtësit e stadiumit “Fadil Vokrri”. Për ta mirëmbajtur fushën ka angazhuar punëtorët që mirëmbajnë fushën e Qendrës Nacionale në Hajvali.

Stadiumi “Fadil Vokrri” është pronë e Komunës së Prishtinës, ndërsa i është dhënë në shfrytëzim FFK-së. Në “Fadil Vokrri” ndeshjet si vendase në kampionat i luan Prishtina. Në stadiumin “Fadil Vokrri” më 5 gusht është caktuar të mbahet meçi i Haxhi Krasniqit, me pajtimin e FFK-së.

Një javë pas Ballkanit e Dukagjinit ndeshje evropiane si vendas luan Gjilani.