Arianit Ahmeti është tërhequr nga gara për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ahmeti të hënën për KOHËN ka thënë se kundërkandidat i kryetarit aktual të FFK-së, Agim Ademi, do të jetë Gramoz Vokrri. Ahmeti thotë se Vokrri ka mbledhur nënshkrimet për të qenë kandidat për të parin e FFK-së. Nënshkrimet, siç ka thënë Ahmeti, do të dorëzohen të mërkurën. Të enjten është afati i fundit për dorëzimin e nënshkrimeve.
Kuvendi Zgjedhor për kryetar të FFK-së është vendosur të mbahet më 6 prill.
“Me siguri se Gramoz Vokrri do të jetë kandidat për kryetar të FFK-së. Afati i fundit për dorëzimin e nënshkrimeve është të enjten, ndërsa me siguri nënshkrimet do të dorëzohen të mërkurën”, ka thënë Ahmeti për KOHËN, të hënën mbrëma. Vokrri e Ahmeti tashmë janë në një ekip.
KOHA ka mësuar se pesë klube të Superligës ia kanë dhënë përkrahjen Vokrrit për të kandiduar për kreun e FFK-së.
KOHA ka kontaktuar edhe me të birin e legjendës, Fadil Vokrri, Gramozin. Ai nuk ka dashur të deklarohet.
Ish-zëvendëssekretari i FFK-së, Arianit Ahmeti, edhe të dielën në “Sportin Total” paralajmëroi kandidaturën e Gramoz Vokrrit.
“Pse të mos jetë edhe Gramoz Vokrri? Gramoz Vokrri është vlerë. Familja Vokrri, mbiemri Vokrri, ka emër në futbollin e Kosovës. Nëse nuk është Gramoz Vokrri, kush do të jetë tjetër? Nëse bindet Gramoz Vokrri, që besoj se ka përkrahje. Ai duhet të bindet. Me kënaqësinë më të madhe unë i pari do të rreshtohem përkrah tij. Po u them, me kënaqësinë më të madhe, siç isha përkrah babit të tij, legjendës Fadil Vokrri, me të cilin kam pasur bashkëpunim të mirë, me kënaqësinë më të madhe, unë Arianit Ahmeti, do të jem ushtari i parë i Gramoz Vokrrit”, tha Arianit Ahmeti të dielën.
Ahmeti më herët kishte deklaruar se do të jetë kandidat për kryetar. Por gjendja ka ndryshuar tashmë. Ai ka akuzuar udhëheqjen aktuale, përkatësisht kryetarin Agim Ademi dhe Komitetin Ekzekutiv se kanë shkelur Statutin me thirrjen e Kuvendit për 6 prill. Vendimi i Komitetit Ekzekutiv është kundërshtuar dhe është cilësuar i jashtëligjshëm. Kuvendi do të mbahet vetëm për kryetar, kurse për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv do të mbahet pas dy vjetësh.
Në prag të zgjedhjeve për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës edhe ish-sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, hodhi akuza të rënda në drejtim të Komitetit Ekzekutiv dhe të kryetarit Ademi.
Ndërkohë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dalë të hënën me qëndrim për zhvillimet në FFK. Qëndrimi i MKRS-së nuk është shumë i qartë.
“Ne bëjmë thirrje për proces të rregullt e të bazuar në norma statutare të çdo federate dhe po ashtu nxisim me gjithë fuqinë tonë funksionalizimin e trupave brenda organeve të organizatave sportive në vend që të zgjedhin çdo rast me pretendime potencialisht të bazuara të normave statutare. Ndërkohë, Ministria e Sportit do të vazhdojë gjithnjë e më fort të thellojë reformat strukturore që prekin kornizën legjislative, të politikave publike dhe të shpërndarjes së resurseve në funksion të ndryshimeve pozitive në sportin tonë, tashmë të domosdoshme”, thuhet në qëndrimin e MKRS-së.