Rreth dy mijë fëmijë të institucioneve parashkollore kanë marrë pjesë në Festivalin Sportiv “Prishtina 2019”. Është ky një organizim i ri i Komitetit Olimpik të Kosovës, që është mbajtur për herë të parë të premten paradite në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
KOK-u ka vlerësuar lart ngjarjen për parafillorët e Prishtinës, ndërsa ka thënë se Festivali ka mundësuar që fëmijët të përjetojnë emocionet që sjellin Lojërat Olimpike, shkruan sot “Koha Ditore”. Pjesë përbërëse e ngjarjes ishte gara në futboll dhe në tri disiplina të ndryshme të atletikës.
Ka pasur edhe shumë shikues në tribuna, fëmijë e prindër, ndërsa prezent në stadium ishin edhe figura politike të vendit. Festivali pos për të njoftuar fëmijët me sportin ka shërbyer edhe për të përçuar mesazhin e paqes, ndërsa është organizuar për nder të Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe.
{gallery}
“Jemi këtu që të përjetojmë së bashku atë që e ka përjetuar ekipi olimpik i Kosovës në Rio 2016. I ftojmë fëmijët që të përfshihen në ndonjërin nga sportet që praktikohen në Kosovë. Prindërit i lusim që ashtu si i dërgojnë fëmijët në shkollë, t'i marrin për dore dhe t'i dërgojnë në njërin nga 1.400 klubet sportive në Kosovë. Sporti u mundëson fëmijëve të përvetësojnë 24 shkathtësi që nuk mund ta bëjë asnjë institucion tjetër. Me këtë festival ne po mbjellim farën e dashurisë ndaj sportit te fëmijët”, ka thënë i pari i KOK-ut, Besim Hasani.
Edhe
Lojëra të sportit si thirrje për paqe nga fëmijët kosovarë
Rreth 50 ekipe të institucioneve parafillore të Prishtinës kanë defiluar në stadium me flamuj në dorë. Është improvizuar një ceremoni hapëse e Lojërave Olimpike, me endje të flakës olimpike, betim të fëmijëve, mësuesve e gjyqtarëve.
Garat janë zhvilluar në të dy gjinitë në futboll, ndërsa janë formuar 16 fusha të vogla. Është garuar edhe në vrapim në 25 e 50 metra e, po ashtu, në hedhje të topit dhe kërcime.