Sport

Dukshëm më pak para për federatat sportive nga buxheti i shtetit

Memorandumet që është dashur të nënshkruhen në fillim të vitit më në fund kanë nisur të nënshkruhen të premten. Por, një pjesë e drejtuesve të federatave sportive në vend janë larguar të dëshpëruar nga kabineti i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Me memorandumet e nënshkruara të premten, federatat sportive në vend do të kenë gjatë vitit 2021 dukshëm më pak mbështetje financiare se në vitin 2020.

Në të vërtetë, MKRS-ja nuk ka zbuluar shifra pas nënshkrimit të memorandumeve të para. Por, drejtues federatash dhe burime të shumta të KOHËS kanë konfirmuar se buxheti për federatat sportive do të jetë dukshëm më i vogël se ai i vitit 2021.

KOHA ka kërkuar një qëndrim nga MKRS-ja lidhur me zvogëlimin e të hyrave për federatat sportive, por nuk ka marrë përgjigje të premten. Përgjigje është premtuar për të shtunën.

Të premten, MKRS-ja ka nënshkruar memorandumet e bashkëpunimit me Komitetin Olimpik të Kosovës, e po ashtu me nëntë federata sportive: të Mundjes, Atletikës, Notit, Karatesë, Boksit, Volejbollit, Hendbollit, Basketbollit dhe Shenjëtarisë.

Të gjitha këto, duke përfshirë edhe KOK-un, do të përkrahen me pak më tepër se një milion euro.

“Në këtë periudhë federatat do ta pranojnë gjysmën e vlerës së memorandumit, ndërsa pagesat e tjera do të procedohen në tremujorin e tretë dhe të katërt. Në takim, ministri Çeku tha se Komiteti Olimpik dhe federatat sportive do të marrin mbështetje shtesë financiare përtej bazës së memorandumeve të nënshkruara sot. Konsideruar se jemi në prag të Lojërave Olimpike, me prioritet do të konsiderohen federatat të cilat kanë arritur normat olimpike”, thuhet në njoftimin përgjithësues të MKRS-së. Ministria ka paralajmëruar nënshkrimin e memorandumeve me 30 federata të tjera sportive.

Mbështetja për federatat, përkatësisht për sportin, bëhet në bazë të kategorizimit të sporteve. Në bazë të kritereve të shumta, federatat ndahen në katër kategori dhe secilës i caktohen pikët. Kategorizimin e bën KOK-u, por për shkak të pandemisë për këtë vit është marrë për bazë kategorizimi i vitit 2020.

Dhe, rrjedhimisht, federatat kanë pritur që përkrahja të jetë e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Por, kjo nuk ka ndodhur. Burime të KOHËS bëjnë të ditur se është ulur vlera financiare e pikës për federatat. Kjo nënkupton se është ulur edhe përkrahja financiare për federatat. Deri më tani ka qenë praktikë që MKRS-ja ta bëjë publike vlerën financiare të pikës. Por, këtë herë kjo nuk është bërë publike.

Më 30 mars të vitit të kaluar, ish-ministrja Vlora Dumoshi kishte nënshkruar vendimin për caktimin e vlerës financiare të pikës. Në grupin A, federatat e sporteve kolektive pikën e kishin 3400 euro, ndërsa ato individuale 2000 euro. Kjo shumëzohet me pikët që federatat kanë në kategorizim dhe del shuma e përkrahjes.

Për federatat kolektive të grupit A, sipas burimeve të KOHËS, pika është ulur nga 3400 euro në 2000 euro.

“Buxhetin për këtë vit e kemi të projektuar në 1 milion euro. Në këtë shumë i kemi llogaritur që t’i marrim rreth 260 mijë nga MKRS-ja, pra një të katërtën. Tani do t’i marrim rreth 100 mijë më pak nga MKRS-ja. Natyrisht, nuk e kemi pritur mirë, pasi do të ishte mirë që një të katërtën e buxhetit ta mbulojë Qeveria. Kjo na shkakton pak kokëçarje, pasi duhet t’i sigurojmë edhe 100 mijë euro të tjera nga sponsorët”, ka thënë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës.

Federata e Basketbollit e Kosovës i takon kategorisë A dhe ka 74.55 pikë. Në bazë të llogarisë, nëse i ka realizuar të gjitha të hyrat, vjet i ka marrë 253 mijë euro. Dhe tani do t’i marrë afro 150 mijë euro.

Për mbi 100 mijë euro më pak buxhetin do ta kenë edhe Federata e Hendbollit dhe ajo e Volejbollit, që po ashtu janë në kategorinë A.

“Buxheti ynë është ulur për më shumë se 100 mijë euro nga MKRS-ja”, ka konfirmuar Valon Nikqi, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës.

Ndërkohë, Federatës së Notit buxheti i është zvogëluar nga rreth 93 mijë euro në rreth 52 mijë euro. Këtë e ka konfirmuar Astrit Haliti, kryetar i Federatës së Notit të Kosovës. Federata e Notit është në kategorinë B.

“Vlera e pikës, nga 1600 ka rënë në 900 euro në kategorinë B. Është rënie shumë e madhe. Është pritur të ketë rënie deri në 20 për qind për shkak të pandemisë, por rënia është 40 për qind dhe është shumë. Ne prej buxhetit të shtetit për këtë vit i kemi pak më shumë se 52 mijë euro. Ndoshta përfitojmë nga ndonjë projekt në federatën botërore apo evropiane, por buxheti i shtetit nuk është i kënaqshëm. Do të pamundësohet pjesëmarrja në shumë gara, shumë aktivitete. Vjet i kishim rreth 93 mijë euro. Nuk po them që nuk mund t’ia dalim, por jemi në fazë tjetër dhe është dashur të jetë përkrahja më e madhe. Vjet i kemi ndihmuar klubet dhe me këtë ulje kjo është e pamundur për këtë vit. Është buxhet goxha sfidues, por shpresojmë që vitet e ardhshme të rregullohet”, ka theksuar Haliti.

Ka raste kur federatat përkrahen nga MKRS-ja edhe për ngjarje të caktuara, jashtë përkrahjes së paraparë me memorandume. Po ashtu, një pjesë e federatave vjet nuk kanë pranuar pjesën e katërt, e disa as pjesën e tretë të buxhetit të paraparë me memorandume. Por, nuk ka pasur ndonjë reagim publik.

Federatat, e sidomos klubet, vjet kanë përfituar edhe prej Ligjit për sponsorizim. Por, jo çdo gjë ka shkuar dhe po shkon mbarë sa i takon atij ligji.

Sa i takon KOK-ut, KOHA ka mësuar se ulja e buxhetit është më e vogël se për federatat sportive. Është marrë për bazë fakti se këtë vit mbahen Lojërat Olimpike.

Nuk përjashtohet mundësia që disa federata mos të pranojnë t’i nënshkruajnë memorandumet e përgatitura pa marrë garancë se do të përkrahen më shumë, në një formë apo tjetrën.