Sport

Më shumë para nga shteti për federatat sportive

Federata e Xhudos e Kosovës është bindshëm e para në Kategorinë A të federatave sportive në vend. Bindshëm më shumë se federatat e tjera sportive në vend ka përfituar edhe nga mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bazë të kategorizimit të sporteve dhe sportistëve nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

FXHK-ja ka mundur madje të mbështetej me shumë edhe më të madhe, nëse do t’i llogariteshin dy medaljet e arta të fituara në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, verën e vitit të kaluar. Por dy medaljet e arta olimpike, medalje botërore e evropiane, nuk i mjaftuan të rrisë numrin e pikëve të kategorizim.

Federata e Xhudos e Kosovës për 83.35 pikët e fituara nga kategorizimi, të enjten ka nënshkruar memorandum me MKRS-në me vlerë prej 183 mijë e 370 eurosh. Kaq do të jetë përkrahja e shtetit për FXHK-në gjatë këtij viti.

Në fakt për sivjet koeficienti i pikës për federatat është rritur. Shuma e përgjithshme e mbështetjes për Komitetin Olimpik, federatat e sportit dhe Komitetin Paralimpik vetëm përmes memorandumeve vjetore është mbi 3.7 milionë euro.

Për federatat kolektive të kategorizuara në Kategorinë A, vlera e pikës është rritur nga 2000 në 2200 euro, ndërsa tek ato individuale nga 1200 në 2200 euro.

Pas xhudos në Kategorinë A renditet Federata e Volejbollit që ka përfituar 175 mijë e 32 euro. Pason Federata e Karatesë me 172 mijë e 702 euro.

Federata e Hendbollit e Kosovës mbështetet me 171 mijë e 804 euro. Pas hendbollit është ajo e basketbollit me përfitim prej 171 mijë e 710 euro, derisa ajo e futbollit nga MKRS-ja merr 168 mijë e 542 euro.

“Vitin e kaluar i kemi pasur rreth 144 mijë euro, ndërsa sivjet jemi me 171 mijë. Kjo rritje për ne është shumë e mirëseardhur. Kemi edhe pikë më shumë se vitin e kaluar, diku 4 apo 5 pikë më shumë. Por, atje janë 10 mijë euro dallim dhe ne kemi përfituar rreth 30 mijë euro më shumë se vitin e kaluar”, ka thënë sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, të enjten për KOHËN.

Kategorizimi ka vlerë të madhe, pasi në bazë të tij ndahet buxheti i shtetit për federatat sportive. Sa më lart në renditje të hyrat janë më të mëdha.

Kategorizimi bëhet në bazë të dokumentacionit që dorëzojnë federatat sportive. Dhe favorizimet nuk përjashtohen. Rregullorja për kategorizimin e sporteve parasheh disa kritere si: organizimi i garave ndërkombëtare në Kosovë, rezultatet e arritura në garat ndërkombëtare, masiviteti, statusi i sportit, gjithëpërfshirja, popullariteti, tradita e disa kritere të tjera. Por, në fund është vlerësimi i komisionit që mund të bëjë dallimin.

Vjet vlera e pikës ishte ulur ndërsa për këtë vit është rritur, në krahasim me vjet.

Është ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, që ka thënë se federatat mund të mbështeten edhe në forma të tjera.

“Gjatë vitit do të shtojmë buxhet përmes mbështetjes së programeve e projekteve të veçanta të federatave”, ka thënë ministri Çeku.

Edhe mbështetja financiare për Komitetin Olimpik të Kosovës ka njohur rritje.

Komiteti Olimpik i Kosovës është përkrahur me 680 mijë euro, kurse Komiteti Paralimpik me 100 mijë euro. Komiteti Paralimpik ende nuk është pjesë e asociacionit ndërkombëtar.

“Komiteti Olimpik i Kosovës është përkrahur me shumën prej 680 mijë eurosh, Komiteti Paralimpik me shumën prej 100 mijë eurosh. Ndërsa shuma e memorandumeve për federata është përcaktuar në bazë të koeficientit të KOK-ut nga kategorizimi i federatave dhe vlerësimit të kategorisë nga MKRS-ja. Koeficienti i pikës për federatat e kategorisë A është rritur në 2200 euro, ndërsa për kategorinë B do të jetë 1500 euro. Federatat e kategorisë C janë vlerësuar me koeficient të pikës prej 1200 eurosh, ndërsa për kategorinë D është rritur në 1000 euro. Të gjitha kategoritë kanë pasur rritje të shumës në krahasim me vitet paraprake. Përveç mbështetjes së federatave do të ketë edhe mbështetje të sportistëve, trajnerëve dhe shpresave olimpike në bazë të kategorizimit të KOK-ut”, shkruan në njoftimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kategoria A

Federata e Xhudos e Kosovës – 183.370 euro

Federata e Volejbollit e Kosovës – 175.032 euro

Federata e Karatesë e Kosovës – 172.702 euro

Federata e Hendbollit e Kosovës – 171.804 euro

Federata e Basketbollit e Kosovës – 171.710 euro

Federata e Futbollit e Kosovës – 168.542 euro

Kategoria B

Federata e Boksit e Kosovës – 97.740 euro

Federata e Mundjes e Kosovës – 97.710 euro

Federata e Sportit Shkollor e Kosovës – 96.000 euro

Federata Atletike e Kosovës – 93.916 euro

Federata e Pingpongut e Kosovës – 90.495 euro

Federata e Skitarisë e Kosovës – 91.125 euro

Federata e Notit e Kosovës – 82.020 euro

Federata e Gjimnastikës e Kosovës – 79.545 euro

Federata e Tenisit e Kosovës – 77.130 euro

Kategoria C

Federata e Sportit Universitar të Kosovës – 59.568 euro

Federata e Shahut e Kosovës – 57.552 euro

Federata e Triatlonit e Kosovës – 56.452 euro

Federata e Shenjëtarisë Sportive e Kosovës – 54.660 euro

Federata e Autosporteve e Kosovës– 54.660 euro

Federata e Badmintonit e Kosovës – 53.784 euro

Federata e Çiklizmit e Kosovës – 53.280 euro

Federata e Bjeshkatarisë Sportive e Kosovës – 52.260 euro

Federata e Ragbit e Kosovës – 50.748 euro

Federata e Taekwondos e Kosovës – 48.336 euro

Federata e Shigjetarisë e Kosovës – 47.784 euro

Federata e Bodybildingut e Kosovës – 47.292 euro

Federata e Kajakimit e Kosovës – 46.512 euro

Federata e Golfit e Kosovës – 41.964 euro

Federata e Boulingut e Kosovës – 39.048 euro

Federata e Aeronautikës e Kosovës – 38.592 euro

Kategoria D

Federata e Motoçiklizmit e Kosovës – 28.280 euro

Federata Sportive e Punëtorëve e Kosovës – 28.410 euro

Federata e Kikboksit e Kosovës – 27.770 euro

Federata e Muaythait e Kosovës – 27.230 euro

Federata e Bilardos e Kosovës – 24.020 euro

Federata e Pikados e Kosovës – 21.020 euro

Federata e Minigolfit e Kosovës – 17.780 euro