E enjtja e kaluar ishte e ngarkuar për ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku. Ai nënshkroi memorandumet me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), Komitetin Paralimpik të Kosovës (KPK) dhe me 36 federata sportive, në bazë të kategorizimit të sporteve të bërë nga KOK-u.
Në fotografitë e publikuara nga MKRS-ja me rastin e nënshkrimit të memorandumeve, munguan ato me përfaqësuesit e Federatës së Notit dhe asaj të Futbollit.
KOHA ka mësuar nga burime të afërta me MKRS-në se Federata e Notit dhe ajo e Futbollit nuk u ftuan për t’i nënshkruar memorandumet. Shkak, siç merr vesh KOHA, janë zhvillimet e fundit në këto dy federata.
Federata e Notit është në Kategorinë B, ndërsa e Futbollit në Kategorinë A të sporteve.
Kryetari i Federatës së Notit të Kosovës (FNK), Astrit Haliti, pranon se nuk ka marrë ftesë. Por ai thotë se nuk e di arsyen pse ka ndodhur një gjë e tillë. Haliti ka theksuar se do t’i drejtohet me shkresë MKRS-së për të kërkuar arsyetim.
“Ende nuk kemi marrë ftesë për të nënshkruar memorandumin. Nuk e di arsyen, por për momentin jam në Sarajevë. Do të kthehem nesër dhe besoj se të martën e di arsyen”, ka thënë Haliti për KOHËN.
Zgjedhja e Halitit si kryetar i FNK-së ishte përcjellë me pakënaqësi të një pjese të komunitetit jo shumë të madh të notit. Më të zëshmit ishin përfaqësuesit e klubit STEP. Përveç STEP-it të pakënaqura kanë mbetur edhe disa klube të tjera. Madje, është një rast në KAS të KOK-ut, pas padisë që gjashtë klube ia bën FNK-së.
Ndërkohë FNK-ja, përkatësisht drejtuesit e saj, janë të pakënaqur me punën e Bordit dhe kryetarit të KOK-ut, Ismet Krasniqi. Kishin kërkuar që në rendin e ditës së Asamblesë së Punës së KOK-ut të përfshihet pika për votëbesimin e Bordit dhe të kryetarit të KOK-ut. Por për shkak se nuk u fut si pikë e rendit të ditës, delegatët e notit dhe delegatë të disa sporteve të tjera lëshuan sallën ku u mbajt Asambleja e Punës e KOK-ut.
Akuzat dhe zhvillimet në Federatën e Futbollit e Kosovës (FFK) kanë detyruar MKRS-në të mos e ftojë, të paktën deri të dielën, për të nënshkruar memorandumin.
FFK-ja është duke u përballur me dy padi të dorëzuara së fundi nga Gramoz Vokrri, që pretendon se i është mohuar e drejta për të qenë kandidat për kryetar në zgjedhjet e caktuara për 6 prill. Nga Vokrri dhe disa ish-delegatë dhe zyrtarë të Federatës është vlerësuar se është shkelur Statuti i FFK-së kur është bërë thirrja e Kuvendit Zgjedhor për 6 prill. Edhe Departamenti Ligjor i MKRS-së ka dalë me një opinion ku është konstatuar se ka pasur shkelje të Statutit dhe Ligjit për Sport.
Në bazë të kategorizimit, Federatës së Futbollit të Kosovës i takojnë nga kuleta e shtetit 168.542 euro, ndërsa asaj të notit 82 mijë euro. Për Federatën e Futbollit nuk çon shumë peshë shuma që e përfiton nga shteti. Burimin kryesor e ka nga UEFA dhe FIFA. Këtë vit FFK-ja ka thënë se ka buxhet 17 milionë euro.
Por, kategorizimi ka vlerë të madhe për federatat e tjera, pasi në bazë të tij ndahet buxheti i shtetit.