Sport

Një pjesë e klubeve të notit proteston para MKRS-së

Përfaqësues të klubeve të notit kanë protestuar të hënën para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Sipas drejtuesve të klubeve, arsyeja e protestës është injorimi që po u bëhet nga MKRS-ja dhe ndërhyrjet politike në Federatën e Notit.

Protesta vetëm konfirmon telashet e mëdha që janë në komunitetin e vogël të notit kosovar. Ka kohë që klubet janë ndarë në dy grupe, përkatësisht në dy federata. Në protestë të hënën ishin klubet që janë të rreshtuara në njërën anë dhe që për kryetar të FNK-së e njohin Astrit Halitin.

Organizatorët pretendonin se të pranishmit përfaqësojnë 19 klube kosovare të notit.

Drejtuesit e klubeve tentuan të hynin në ndërtesën e MKRS-së, por u ndalën nga policia. Protestuesit ndienin se sërish po injorohen nga MKRS-ja, përkatësisht nga ministri Hajrulla Çeku.

Në të vërtetë MKRS-ja dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nuk e njohin Astrit Halitin si kryetar të Federatës së Notit të Kosovës. Udhëheqës legjitim i FNK-së, sipas MKRS-së dhe KOK-ut, është Besnik Halili.

KOK-u për kategorizim të federatave ka marrë për bazë të dhënat që janë dorëzuar nga FNK-ja që drejtohet nga Besnik Halili. Janë dorëzuar vetëm të dhënat e klubeve që e njohin për kryetar Halilin dhe jo edhe të dhënat e klubeve të tjera, që të hënën ishin në protestë. Dhe Federata e Notit mori ndjeshëm më pak pikë se vitin e kaluar.

Astrit Haliti, që është kryetar i FNK-së sipas grupit të klubeve që protestuan, ka thënë se do të kërkojnë sërish takim me ministrin Çeku pasi ai nuk iu mundësua të hënën. Ai ka paralajmëruar sjelljen e notarëve para MKRS-së.

“Më së miri është që të vijmë një ditë tjetër këtu me sportistë, ta bllokojmë hyrjen e MKRS-së, në mënyrë që ministri të reflektojë. Sepse ne besoj që i takojmë këtij vendi dhe nuk jemi duke ardhur nga diku tjetër dhe të protestojmë për diçka që na është marrë me zor. Ne të gjitha dokumentet e mundshme ia kemi dorëzuar ministrit, edhe dokumentet e Kuvendit, edhe kërkesat e tjera me shkrim të secilit klub. Domethënë krejt procedurat i kemi ndjekur, tash ministri po kërkon të bëhet edhe një kërkesë dhe ne gjatë ditës së sotme do t’ia bëjmë atë kërkesë dhe do ta shohim se kur po dëshiron të na presë në takim”, ka thënë Astrit Haliti për të pranishmit.

Grupi i Halitit e vlerëson të paligjshëm një kuvend të Federatës së Notit të mbajtur në shtator. Ai kuvend ishte monitoruar nga MKRS-ja dhe më pas u legjitimua.

Sipas grupit tjetër, në kuvendin e shtatorit ishin të pranishëm 28 delegatë të 16 klubeve të notit. Të pranishmit kishin votuar fillimisht për shkarkimin e Astrit Halitit, që nuk ishte në Kuvend, dhe më pas zgjodhën organet e reja. Ato organe u pranuan nga MKRS-ja dhe KOK-u.

Por aktivitetet nuk i kanë ndalur as grupi tjetër. Madje grupi i Astrit Halitit dërgoi notarët në Botëror. Federata Ndërkombëtare ende e njeh Astritin Halitin si kryetar të FNK-së.

Kjo e bën situatën e notit kosovar shumë të vështirë.

“Kjo nuk është kërkesë e imja por e juaja për shkak të dëmeve që ua kanë shkaktuar ministri dhe së fundmi Komisioni për Licencim. Krejt ato ndërhyrje i kemi paraqitur edhe në gjykatë që ende nuk ka marrë një vendim. Ne nuk jemi njerëz të rrugëve, por njerëz që e kemi ndërtuar Federatën e Notit prej vitit 1997 dhe ka ardhur momenti që një mundësi ua ka dhënë Ministrisë për ta prishur dhe kjo do të jetë e pariparueshme. Fati i mirë në këtë fatkeqësi është se Federata Botërore dhe Evropiane e njeh Federatën e Notit të Kosovës me zgjedhjet e vitit 2021, ndonëse edhe atje janë munduar të prishin punë nëpërmjet KOK-ut dhe MKRS-së”, është shprehur Haliti.

Ai ka drejtuar gishtin edhe kah zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

KOHA gjatë ditës nuk mori përgjigje nga Osmani dhe MKRS-ja.

Problemi në komunitetin e notit është më i vjetër. Fillimisht ishte pretenduar se gjashtë klube kishin mbetur pa të drejtë jashtë Federatës që drejtohej nga Astrit Haliti. Një vendim i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv ishte pro klubeve, ndërsa komuniteti i notit u nda në dysh. Vazhdon të jetë i tillë.

Dhe ndarja e godet më së rëndi pikërisht notin, që edhe pa ndarje ka sfida e telashe të mëdha.