Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka caktuar të enjten vlerën financiare të koeficientit për kategorizimin e federatave në sportet kolektive dhe individuale. Vlera e koeficientit shumëzohet me pikët e fituara në kategorizim dhe kështu caktohet shuma e përkrahjes për federatat sportive.
Vlera e koeficientit për vitin 2024 është 3000 euro për të gjitha federatat sportive të licencuara. Pra, nuk ka dallim mes federatave të kategorisë A dhe B e kështu me radhë. Ka dallim në pikë, por jo edhe në vlerën e koeficientit. Ndërkohë nuk është bërë as ndarja e sporteve individuale me sportet kolektive.
“Vlera e mbështetjes financiare bazë të federatave sportive për vitin 2024 është 5,539,695 euro. Kjo reflekton rritje prej 53 për qind në krahasim me vitin 2023, ndërsa 110 për qind në krahasim me vitin 2022”, shkruan në një postim të MKRS-së.
Federata më e ranguar, ajo e xhudos, do të përkrahet gjatë vitit 2024 me 340 mijë e 710 euro. Federatës së Hendbollit i takojnë 263 mijë e 400 euro, ndërsa Federatës së Volejbollit 255 mijë e 600 euro.
Federata e Futbollit, që është e para në kategorinë B, do të përkrahet nga shteti me 250 mijë e 500 euro. Federatës së Boksit do t’i takojnë 249 mijë e 600 euro, ndërsa Federatës së Basketbollit 241 mijë e 950 euro.
Në kategorinë C janë atletika, pingpongu e mundja. Federatës së Atletikës i takojnë 221 mijë euro, Federatës së Pingpongut 219 mijë euro, ndërsa Federatës së Mundjes 206 mijë euro.
Kategoria D fillon me skijimin, që do të përkrahet me 179 mijë euro, derisa Federata e e-sporteve është e fundit me 75 mijë euro.
Përkrahja në bazë të kategorizimit nuk është e vetmja e shtetit për federatat sportive. Nga kuleta e shtetit federatat përkrahen edhe në forma të ndryshme. Dhe kjo deri më tani shpesh ia ka humbur edhe kuptimin kategorizimit. Disa federata kanë marrë qindra mijëra euro të tjera pos atyre që parashikohen me kategorizim.
Shumica e federatave funksionojnë plotësisht me mjetet që i marrin nga buxheti i shtetit.