Mundësi i Shqipërisë, Islam Dudaev do të paraqitet në finale të Kampionatit Evropian që po mbahet në Bukuresht të Rumanisë.
Dudaev është nga Dagestani i Rusisë, ndërsa është çeçen. Prej vitit 2022, 29-vjeçari garon për Shqipërinë. Në vitin 2022 fitoi medalje të bronztë në Kampionatin Evropian në Budapest. Atë vit fitoi medalje të bronztë edhe në Lojërat Mesdhetare.
Tani e ka të sigurt të paktën medaljen e argjendtë evropiane, por synon të artën.
Dudaev garoi të premten në kategorinë deri 65 kilogramë në stil të lirë. Në xhiron e parë e mposhti 6:3 turkun Abdullah Toprak. Në xhiron e dytë fitoi 8:! Ndaj Stefan Ionut Coman të Rumanisë. Mundësi i Shqipërisë në çerekfinale e mposhti 4:0 garuesin e Francës, Khamzat Aramerzouev.
Gjysmëfinalen, Dudaev e fitoi 3:1 ndaj Ali Rahimzada të Azerbajxhanit. Në finale, të shtunën mbrëma, Dudaev do të përballet me Gadzhimurad Rashidov. Rashidov është nga Rusia, ndërsa ka medalje olimpike e po ashtu tituj të botës e të Evropës. Garuesit nga Rusia paraqiten si të pavarur.
Të premten në Kampionat Evropian u paraqit mundësi i ri i Kosovës, Egzon Gjoni. 19-vjeçari e kishte përballë Ismail Musukaevin, që prej vitit 2019 garon për Hungarinë. Musukaev, që po ashtu është nga Rusia, është kampion në fuqi i botës. Ai e mposhti 11:0 Xhonin, ndërsa do të luftojë për medalje të bronztë.
Edhe
Dudaev fiton titull të Evropës për Shqipërinë
Të shtunën garon Zelimkhan Abakarov, garuesi i natyralizuar i Shqipërisë, që fitoi titull të botës në Beograd. Ai paraqitet në kategorinë deri 61 kilogramë në stil të lirë.
Po të shtunën, për Shqipërinë debuton mundësi i ri i natyralizuar, Chermen Valiev. Edhe Valiev është nga Rusia.
Shqipërinë e kanë përfaqësuar edhe Albina Drazhi, që humbi 4:0 përballjen e parë, si dhe Gjetë Prenga, që pësoi 10:0 në luftën e parë, në stilin greko-roman.